Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Türkiye më 14 maj, raporton Anadolu.
“Me autoritetin e dhënë nga Neni 116 i kushtetutës sonë, nënshkrova dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve më 14 maj, të cilat ishin planifikuar të mbahen më 18 qershor të vitit 2023”, tha Erdoğan në kompleksin presidencial në kryeqytetin Ankara.
“Pas këtij vendimi që do të publikohet në Gazetën Zyrtare, Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK) do të nisë kalendarin zgjedhor dymujor”, shtoi presidenti turk, duke uruar që këto zgjedhje të jenë të dobishme për vendin, kombin, kuvendin dhe partive politike.
Ai tregoi se përditësimin e vendimit që zgjedhjet të mbahen më 14 maj në vend të 18 qershorit e kanë ndarë me publikun menjëherë pas vitit të ri, ndërsa si shkak për këtë theksoi se data fillestare është kohë kur mbahen provimet e studentëve, si dhe periudhë e haxhit.
Duke folur për aktivitetet zgjedhore, presidenti turk theksoi se kanë ndaluar të gjitha muzikat dhe se fushata zgjedhore e tyre do të vazhdojë pa përdorimin e muzikës, nëpërmjet takimeve bilaterale.
“Agjenda jonë zgjedhore sërish do të qëndrojë në shërimin e plagëve të viktimave të tërmetit dhe kompensimin e dëmeve ekonomike e sociale të kësaj fatkeqësie”, u shpreh Erdoğan.
Presidenti turk theksoi se qëllimi i tyre është që brenda një viti të përfundojnë 319 mijë shtëpi në zonat e tërmetit, përfshirë 244 mijë banesa dhe 75 mijë shtëpi fshati, dhe t’ua dorëzojnë pronarëve, duke u mundësuar 3,5 milionë banorëve të rajonit një hapësirë të re jetese.
Dekreti i firmosur nga presidenti Erdoğan tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Më 14 maj, kombi turk do të zgjedhë presidentin dhe anëtarët e parlamentit.
Në vitin 2017, votuesit turq përmes një referendumi vendosën të kalojnë nga sistemi parlamentar në një sistem ekzekutiv presidencial të qeverisjes dhe që nga viti 2018 vendi hoqi dorë nga posti i kryeministrit dhe kaloi plotësisht në një sistem presidencial të qeverisjes.