Tregu global i aksioneve kolapsoi ditën e Mërkure pasi presidenti Amerikan Donald Trump shpalli planin për të aplikuar tarifa importi për 150 vende të botës duke shkaktuar një shok mes firmave teknologjike dhe distributorëve.
Tarifat, të cilat kërcënojnë destabilizimin e rendit botëror tregtar dhe mbylljen e shumë bizneseve janë një kthesë e madhe nga qëndrimet e mëhershme të administratës Trump e cila premtoi politika pro biznesit.
Walmart, Amazon dhe Taget të cilët mbështeten në disa vende Aziatike si furnizues kryesorë mund të detyrohen të rrisin çmimet ndërsa aksionet e tyre ranë me 4 deri në 6 përqind.
Aksionet e Apple ranë me 6.1 përqind ndërsa 90 përqind e prodhimit të saj është e bazuar në Kinë, një prej vendeve më të goditura prej tarifave. Mes qendrave botërore të prodhimit, Kina u godit më rëndë me tarifa prej 54 përqind.
Vietnami me 46 përqind, Kamboxhia me 49 përqind dhe Indonezia me 32 përqind. Aksionet e distributorëve të veshjeve sportive si Lululemon dhe Nike ranë me 10.3 përqind dhe 8.5 përqind.
Analistët dhe investitorët paralajmëruan se tarifat dhe masat e mundshme hakmarrëse nga vendet e tjera mund të tronditin zinxhirët globalë të furnizimit, të rrisin kostot dhe të dëmtojnë marzhet e fitimit të korporatave.
Duke folur në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën, Trump tha se do të vendoste një tarifë bazë prej 10% për të gjitha importet.
Midis aleatëve të ngushtë të SHBA-së, Japonia ishte në shënjestër me një normë prej 24%, Koreja e Jugut me 25%, Tajvani me 32% dhe Bashkimi Europian me 20% dhe shumë partnerë tregtarë u zotuan të hakmerren, lëvizje e cila mund ta përkeqësojë më tutje kushtet ekonomike.
/PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al