Të kthyer nga emigracioni këtë verë, shumë banorë të Synejit të Kavajës i kanë gjetur shtëpitë e tyre të zbrazura nga hajdutët..
Në shenjë proteste ata kanë bllokuar rrugët e fshatit duke kërkuar marrjen e masave të shpejta nga policia për kapjen e hajdutëve dhe kthimin e sigurisë për pronën në fshat.
“Këtu janë vjedh shtëpiat, janë vjedh të gjitha, janë shkatërruar njerëzit. Po flenë njerëzit me stres. Janë trembur gjithë njerëzit”, tregon një banor i fshatit.
“Dy herë më kanë hyrë në shtëpi, kur isha jashtë, kam ardhur tani në oborr të shtëpisë, tentuan të më hyjnë brenda. I ndoqëm nuk i kapëm dot. Ky shtet po më detyron të marr kallashin edhe ta zgjidh vetë këtë punë”, shprehet banori.
“Kemi marrë policinë në telefon. Ne s’kemi ça ju bëjmë thanë, nuk e vranë mendjen fare”, tha një tjetër.
Pre e vjedhjes janë shtëpitë e pabanuara. Megjithatë banorët shprehen se tentativat për vjedhje kanë vazhduar edhe në këtë sezon, kur ata ndodhen në shtëpi.
“Paguajmë taksat, tatimet të gjitha. Janë pesë shtëpi të vjedhura brenda ditës”, tha një tjetër banor.
Sipas protestuesve, janë afro 300 shtëpi të vjedhura, ndërsa policia e Kavajës bën me dije se gjatë 8 muajve të këtij viti numërohen 20 vjedhje në këtë fshat, nga të cilat 11 raste janë zbardhur. 7 autorë të dyshuar të këtyre vjedhjeve janë arrestuar dhe një është shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera.
Hajdutët shfrytëzojnë daljet e shpejta në autostradë për t’u larguar, pas vjedhjeve. Këtë të mërkurë protestuesit pasi kërkuan nga drejtues të policisë vendore patrullim të shpeshtë dhe siguri në zonë u shpërndanë duke kthyer në normalitet qarkullimin rrugor.