Entuziazmi i investitorëve bie ndërsa fillon dimri i kriptomonedhave

min lexim

Entuziazmi i lartë i gjenerimit të një pasurie të vërtetë përmes bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera mori së fundi një dush të ftohtë.

Ndër çmimet bien, kompanitë shkojnë drejt kolapsit dhe skepticizmi dominon, pasuria dhe vendet e punës po zhduken hap e mbyll sytë, dhe spekulimi i ethshëm i investitorëve sot është zëvendësuar nga disa përllogaritje të ftohta në atë që liderët e industrisë e quajnë “dimri crypto.”

Është një kthesë e madhe për investimet dhe kompanitë të cilat në fillim të 2022 dukej sikur kishin prekur majat e tyre financiare dhe kulturore. “Evangjelistët” e kriptomonedhave kishin përhapur reklama gjatë evenimenteve madhore të Super Bowl dhe shpenzuan miliona për të sponsorizuar arena sportive dhe ekipe bejsbolli. Asokohe përllogaritej që asetet e kombinuara të mbarë industrisë të ishin 3 trilionë dollarë; sot ato vlejnë vetëm sa 1/3-ta.

Ditën e Hënë çmimi i bitcoin sillej rreth 20,097 dollarë, 70% më poshtë sesa rekordi i Nëntorit prej 69 mijë dollarë. Një tjetër kriptomonedhë lider, Ethereum, tregtohej me 4,800 dollarë në Nëntor, sot është më pak se 1 mijë dollarë.

Bitcoin dhe kriptomonedhat e tjera kanë qenë në tatëpjetë gjatë gjithë vitit, një rënie e përshpejtuar edhe nga sinjalizimi i Rezervës Federale Amerikane se interesat do të rriteshin për të parandaluar nivelet rekord të inflacionit. Ajo çfarë po ndodh sot me crypto, pjesërisht është një version ekstrem i asaj që po ndodh me aksionet me investitorët të cilët po shesin asetet me risqe të larta në një kohë kur po bien kambanat e një recensioni.

Megjithatë shitja në masë e kriptomonedhave është më shumë sesa kaq, thonë ekspertët. Është një sinjal dobësie i Wall Street dhe Main Street rreth themeleve mbi të cilat ngrihet industria dhe që tani po lëkunden.

“Ekziston ky boshllëk i paarsyeshëm,” tha Mark Hays nga grupi i avokatisë së konsumatorëve Americans for Financial Reform. “Po përsëritet e njëjta situatë si me krizën e 2008-ës: reklamimi agresiv i këtyre produkteve, premtimi i fitimeve të paarsyeshme, injorim i rreziqeve dhe refuzim i çdo kritiku si person që nuk e kupton çfarë po flet.”

Hays dhe të tjerët po bëjnë krahasime me shkrirjen e 2008-ës të tregut të banesave me kolapsin e bitcoin dhe monedhave të tjera dixhitale pjesërisht nxitur edhe nga mungesa e rregullimi dhe mbikëqyrjes financiare duke shtuar frikën sesa keq e gjitha kjo mund të bëhet.

Për fatin e mirë industria e crypto nuk është aq e madhe sa të shkaktojë trazira në ekonominë e gjerë dhe sistemin financiar thonë analistët.

Por ngjarjet e fundit kanë dëmtuar rëndë besimin e investitorëve te kriptomonedhat:

  • Stablecoin Terra pësoi kolaps në pak ditë gjatë muajit Maj duke fshirë 40 miliardë dollarë pasuri investitorësh. Në biznesin crypto, stablecoin-ët paraqiten si investime të sigurta dhe vlera e secilës është e lidhur ngushtë me instrumente tradicionale financiare siç është dollari Amerikan. Po Terra e mbështeste vlerën e saj në një algoritëm që duhej ta mbante të barabartë me 1 dollarë ndërsa një pjesë të vlerës e mbështeste në bitcoin.
  • Një kompani e quajtur Celsius Network, që operon si një bankë për poseduesit e kriptomonedhave, javën e kaluar ngriu llogaritë e 1.7 milionë konsumatorëve. Celsius merrte depozita, paguante interesa dhe ofronte kredi dhe investime të tjera me kriptomonedhat e konsumatorëve ndërsa arriti vlerën e tregut prej 10 miliardë dollarë. Ndryshe nga një bankë e vërtetë, nuk ka garanci federale që mbron depozitat e këtyre konsumatorëve.
  • Menjëherë pasi Celsius ngriu llogaritë, themeluesi i Three Arrows Capital, një “hedge” fund i specializuar në kriptomonedha në Singapor adresoi spekulimet për kolapsin e saj me një cicërimë misterioze: “Jemi në proces të komunikimit me palët e përfshira dhe plotësisht të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje.”

Periudhat e gjata të pesimizmit për aksionet quhen “tregjet e ariut.” Në industrinë crypto, shitjet masive të kriptomonedhave nxitën reagime të bazuara tek seritë e HBO “Game of Thrones” duke popullarizuar paralajmërimin e famshëm “Dimri po vjen.”

Javën e kaluar CEO dhe bashkëthemeluesi i Coinbase, një prej bursave më të mëdha në botë të kriptomonedhave paralajmëroi se do të shkurtonte 18 përqind të fuqisë punëtore dhe tha se një recension i mundshëm do ti bënte problemet e industrisë akoma më shqetësuese. “Një recension mund të na çojë drejt një dimri crypto dhe të zgjasë për një periudhë të gjatë,” tha CEO Brian Armstrong.

Nuk është ky i pari dimër i kriptomonedhave. Në 2018-ën bitcoin ra nga 20 mijë dollarë në 4 mijë dollarë. Por analistët thonë se kësaj here gjërat duken ndryshe.

Hilary Allen, një profesore e ligjit në American University që ka bërë kërkime në kriptomonedha, tha se ajo nuk ishte e shqetësuar nga ideja se trazirat e industrisë crypto mund të përhapen në ekonominë e gjerë. Gjithsesi në mesin e investitorëve crypto, problemet po shtohen nën sipërfaqe.

“Ekzistojnë fonde mbrojtëse të cilat kanë kredi nëpër banka dhe që kanë vënë baste në kriptomonedha,” tha ajo.

Dhe sa herë që investitorët marrin kredi për të rritur madhësinë e basteve të tyre, diçka e njohur në industri si “leverage – sistemi i levave” frika është se humbjet do të rriten me shpejtësi.

“Njerëzit po bëjnë llogari, por ka një mungesë transparence dhe është e vështirë të kuptohet sesa po përdoren këto leva në sistem,” tha një ish bankier investitor dhe tashmë anëtar bordi në Ether Capital Stefan Coolican.

Për këto arsye dhe të tjera, ka pasur lëvizje në Uashington për të rregulluar industrinë crypto, një përpjekje që po fiton terren.

“Besojmë se trazirat e fundit vetëm vënë theksin tek nevoja urgjente e rregullimit për të ulur rrezikun që asetet dixhitale përfaqësojnë,” tha Departamenti i Thesarit në një deklaratë.

Pavarësisht paralajmërimeve, ende ekziston shpresë tek investitorët crypto. I njohur si Crypto King në Twitter, 31 vjeçari Jake Greenbaum thotë se ka humbur 1 milionë dollarë nga investime e tij në kriptomonedha. Ndërsa ai beson se gjërat mund të bëhen më keq përpara se situata të përmirësohet, ai ka vendosur të mos tërhiqet.

Gjërat duken keq tha ai, pikërisht këtu ju filloni të pozicionoheni. /PCWorld Albanian

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

KËSHILLI I AMBASADORËVE: Anëtarsimi i vendit në BE nuk ka alternativë tjetër

Story i radhës

Donbasi po përballet me “sulmet më të ashpra” prej nisjes së luftës

Të fundit nga