Teksa prej disa javësh është rikthyer debati për çmimin e energjisë elektrike të furrave të bukës, që tregtojnë edhe prodhime brumi e pastiçerie, një alternativë e re për aplikimin e tarifës preferenciale për aktivitetin e prodhimit të bukës është duke u shqyrtuar.
Po synohet që diferencimi i çmimit preferencial prej 7.6 lekë/ kWh të bëhet përmes faturave të tregtimit të bukës, ku evidentohet TVSH-ja e reduktuar që subjektet paguajnë.
Kjo pasi, aktualisht TVSH e bukës është e reduktuar në masën 8%, ndërkohë që për produktet e tjerë të brumit dhe pastiçerisë aplikohet TVSH normale, në masën 20%. Të njëjtët burime thanë se instalimi i dy matësve, sipas aktivitetit që ushtrohet nga këto subjekte është i vështirë, duke qenë se prekja apo përgatitja e brumit kryhet në të njëjtat pajisje.
Ndërkaq, Shoqata e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave ka parashtruar kërkesat e saj për zgjidhjen e kësaj situate.
Referuar propozimeve, Shoqata kërkon që furrat që prodhojnë bukë dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternativ 9.5 lekë/ kWh ose të studiohet me grup të përbashkët.