2
Shkup, 26 qershor – Pasojat ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor nga konflikti në Lindjen e Mesme janë indirekte dhe të kufizuara, sipas të dhënave për tregtinë e jashtme dhe analizave të ekspertëve ekonomikë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ata thonë se ndikimi është më i dukshëm përmes qëndrimeve ideologjike ose përplasjeve gjeopolitike. Përveç në Mal të Zi. Turizmi në këtë vend tashmë po përjeton pasoja negative, për shkak të anulimit të dhjetëra fluturimeve dhe rezervimeve hoteliere nga Izraeli.
Sulmet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran, si dhe kërcënimet për mbylljen e rrugëve kryesore ujore shkaktuan një tronditje të lehtë në tregun e naftës dhe rritën çmimet e naftës bruto dhe të derivateve të saj.
Varësia energjetike e Maqedonisë së Veriut
Derisa sulmet midis Iranit dhe Izraelit vazhdonin, çmimet e energjisë luhateshin.
Për pasojë, në tregun e Maqedonisë së Veriut kishte disa rritje të çmimeve të naftës.
Pritjet e udhëheqësve të Komisionit Rregullator të Energjisë në këtë vend janë që trendi i stabilizimit të çmimeve të naftës të vazhdojë, duke pasur parasysh armëpushimin e shpallur disa ditë më parë mes Izraelit dhe Iranit.
“Besoj se do të kemi stabilizim të çmimeve të produkteve të naftës dhe çmimeve të gazit natyror, e rrjedhimisht edhe të çmimeve të energjisë elektrike”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimoski.
Udhëheqësi i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Trajan Angelovski, thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos ketë veprime ushtarake, sepse çmimet e energjisë mund të prishin shumë gjëra.
“Çmimet do të rriteshin dhe do të ndikonin drejtpërdrejt në inflacion”, sipas tij.
Inflacioni në Maqedoninë e Veriut, sipas parashikimeve të Bankës Popullore në prill, do të arrijë në 3 për qind në vitin 2025, që është 0.5 përqind më pak se vitin e kaluar.
“Ekonomia jonë nuk është as në rritje të shpejtë e as e zhvilluar. Ne jemi gjithmonë të varur nga burimet e energjisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mille Boshkov, president i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë së Veriut.
Në skenën globale, Irani luan një rol të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimit.
Ai është anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), prodhon rreth 3.3 milionë fuçi nafte në ditë dhe eksporton më shumë se dy milionë.
Përveç se ka burimet e veta të naftës, Teherani mund të ndikojë edhe në një rrugë jetike tregtare – Ngushticën e Hormuzit – përmes së cilës, çdo ditë, kalon më shumë se një e pesta e furnizimit botëror me naftë.
Në të kaluarën, Irani ka kërcënuar disa herë me bllokimin e saj.//REL
Burimi: zhurnal.mk