Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, Blerta Basholli, nuk arriti të nominohet për Çmimin Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
“Zgjoi” ishte në listën e ngushtë prej 15 filmash, ndërsa pesë finalistët që u nominuan në këtë kategori janë: “Drive my car” nga Japonia, “Flee” nga Danimarka, “The Hand of God” nga Italia, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani dhe “The Worst Person in the World” nga Norvegjia.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA i shpalli nominimet të martën, ndërsa çmimet do të ndahen më 27 mars.
“Zgjoi” bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje nga Kosova, e cila gjatë luftës së viteve 1998/99 u largua nga fshati Krushë e Madhe, bashkë me fëmijët e saj të vegjël.
Pas kthimit, bashkëshorti i saj ishte i zhdukur dhe me gjasë i vdekur, ndërsa ajo – atë botë 28 vjeçe – pa asnjë mundësi për të mbajtur familjen.
Në përpjekjet për mbijetesë, nëna e një vajze tri vjeçe dhe një djali tre muajsh u bashkua me të vejat e tjera të fshatit dhe filluan të shisnin ajvar dhe turshi të bëra vetë.
Biznesi i tyre “KB Krusha” vazhdon të funksionojë edhe sot dhe punëson mbi 50 gra – pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, regjisorja e filmit, Blerta Basholli, ka shpalosur arsyet që e kanë shtyrë të realizojë projektin:
“Fillimisht, kam qenë e fascinuar me tregimin e Fahrijes kur e kam dëgjuar në televizion, më është dukur një rast shumë interesant, fillimisht si histori suksesi, por pastaj edhe paragjykimi që i është bërë nga shoqëria, pasi ka qenë e ve dhe ka filluar të punojë”.
“Për mua këto dy elemente kanë qenë shumë intriguese dhe për këtë arsye kam shkuar ta takoj Fahrijen”, ka thënë Basholli, duke kujtuar takimet e para me të në vitin 2011.
Aktorja Yllka Gashi, e cila luan Fahrijen, ka thënë se ky rol për të ka qenë “përvoja më e mirë profesionale”.
“Grua e çeliktë, që nuk u dorëzua para asnjë sfide, që dhimbjen e shndërroi në motiv për punë. Inspirim për çdo gjeneratë”, ka shkruar Gashi në llogarinë e saj në Instagram, pas premierës së filmit “Zgjoi” në Prishtinë, në tetor të vitit 2021.
Vetë Fahrija ka thënë se filmi e ka bërë t’i rijetojë momentet e së kaluarës, por edhe të ndihet krenare për atë që ka arritur.
“Dhimbja në fytyrë, dhimbja në punën që bënte, ma pasqyronte një Fahirje të dytë”, ka thënë ajo për aktrimin e Yllka Gashit.
Vitin e kaluar, “Zgjoi” ka bërë histori, duke fituar tre çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çmimi për filmin më të mirë, për regjisoren më të mirë dhe çmimi i publikut – që të tre kanë shkuar në adresë të “Zgjoit”.
“Zgjoi” është “një perlë që nxjerr në pah fuqinë e personazheve të tij, duke dëshmuar se asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision”, ka shkruar “Sundance Film Festival”.
Filmi “Zgjoi”, mes tjerash, ka fituar edhe dy çmime kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë. Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë, ndërsa “Zgjoi” ka marrë çmimin “Fundos” për inovacion shoqëror.
“Drithërues, tërbues dhe në fund shpresëdhënës” – e ka përshkruar kritikja amerikane, Alissa Wilkinson, filmin “Zgjoi”.
“Bukuria dhe forca e këtij filmi qëndrojnë në faktin se regjisorja, aktorja dhe i gjithë ekipi arrijnë të tregojnë të padukshmen dhe të thonë të pathënën”, ka thënë regjisorja nga Bosnja, Jasmila Zhbaniq.
Një film i Kosovës është nominuar për herë të parë për Çmimin Oscar në vitin 2016. “Shok”, me regji dhe skenar të britanikut Jamie Donoughue, ka hyrë në garë në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, por nuk ka fituar.
Më 26 janar, regjisorja e “Zgjoit” ka kërkuar mbështetje për filmin e saj, në prag të shpalljes së nominimeve për Oscar.
“’Zgjoi’ tregon historinë e fuqisë, qëndrueshmërisë dhe triumfit të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës, në një situatë kur dorëzimi është mundësi”, ka shkruar Basholli në Twitter./REL