Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e saj.
Për këtë qeveria në Beograd ka nisur tashmë punën duke angazhuar ekspertë.
Vuçiq në një deklaratë të bërë për median serbe të dielën, gjithashtu kërcënoi duke thënë se pas këtij vendimi do të shohin se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.
“Ne tashmë kemi thirrur ekspertë që merren me këtë — sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të gjithë të tjerët… Meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, le të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiq.
Kjo ide e Vuçiqit nuk është për herë të parë, ai këtë e ka përsëritur edhe më herët.
Në vitin 2024, menjëherë pas sulmit në infrastrukturën kritike në Ibër Lëpenc, për të cilin akuzohen po serbët, ai tha se vendi kishte një plan për devijimin e Ibrit në territorin e Serbisë.
Ndërsa, publicisti serb Zlatoje Martinov, këtë e quan deklaratë të pamatur dhe kërcënim bosh.
Ai thotë se kjo gjë është absurditet i pastër, gjersa shton se do t’i kushtonte Serbisë.
“Kjo është një nga një sërë deklaratash të Vuçiçit që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Një tjetër deklaratë e pamatur dhe kërcënim bosh. Fakti që ai deklaroi se do ta “ndryshonte rrjedhën e lumit Ibër” është një absurditet i pastër, pasi një projekt i tillë infrastrukturor është teknikisht tejet kompleks dhe do t’i kushtonte Serbisë disa miliardë euro.
Pse do t’i duhej Serbisë të merrte hua shuma të mëdha nga bankat e huaja? Serbia mezi ia del të financojë projektin megaloman të Vuçiçit, “EXPO 2027” (punimet po vonohen dhe Vuçiçi është i shqetësuar nëse të gjitha ndërtesat do të jenë gati deri në verën e ardhshme)”, deklaron Martinov për “Bota sot”.
Sipas tij, për ta realizuar këtë Vuçiq do të duhej ta merrte miratimin e Evropës dhe botës, gjë që nuk do ta kishte.
“Për të zhvendosur shtratin e lumit Ibër dhe për të “shkatërruar Liqenin e Gazivodës”, përveç shumave të mëdha të parave dhe viteve të tëra punë teknike, nevojitet edhe miratimi i Evropës dhe i botës – miratim të cilin Vuçiçi nuk e ka dhe që askush nuk mund ta marrë kurrë, sepse kjo do të përbënte një lloj krimi kundër popullit të Kosovës, e natyrisht edhe kundër serbëve në Kosovë, për të cilët Vuçiçi betohet dhe të cilët gjoja i mbështet”, pohon publicisti.
Në fund, idenë e presidentit serb, Martinov e quan qesharake më tepër sesa frikësuese.
“Në gjendje pafuqie dhe zemërimi, shpesh bëhen lëvizje të gabuara; një deklaratë e tillë nga Vuçiqi, e menduar si kërcënim ndaj Kosovës, në fakt është më tepër qesharake sesa frikësuese, sepse në praktikë është e vështirë, madje pothuajse e pamundur, për t’u realizuar. Ndaj, do t’i quaja thjesht “ëndrra me sy hapur” të Aleksandar Vuçiqit”, shton Martinov.
Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është i rëndësishëm për Kosovën.
Ai lidhet drejtpërdrejt me sistemin ujor të Gazivodës/Ujmanit dhe me kanalin Ibër-Lepenc.
Në këtë rast ndërhyrja nuk nënkupton një lëvizje të zakonshme, por një veprim me pasoja të drejtpërdrejta mbi Kosovën për furnizimin e saj me ujë dhe energji elektrike, veçanërisht dy termocentralët e medhenj Kosova A dhe Kosova B.
Ndaj, idesë së Vuçiqit kanë reaguar edhe nga BE.
Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.
“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Burimi: botasot.info


