Emiri i Katarit në fjalimin e OKB-së bën thirrje për mbështetje ndaj palestinezëve

September 20, 2023
min lexim

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në fjalimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka bërë thirrje për të mbështetur popullin palestinez për të gjetur një zgjidhje të drejtë politike, raporton Anadolu.

“Nuk është e pranueshme që populli palestinez të mbetet rob i arbitraritetit të pushtimit të kolonëve izraelitë dhe refuzimit të çdo zgjidhjeje të drejtë politike në përputhje me parimet e legjitimitetit ndërkombëtar”, tha Al Thani.

Ai tha se dështimi i organizatave ndërkombëtare vazhdon të ofrojë mundësinë për Izraelin të “minojë themelet e zgjidhjes me dy shtete me anë të zgjerimit të vendbanimeve”.

Lideri i Katarit foli gjithashtu për sulmet në vendet e shenjta në Kuds, përdorimin e mjeteve të rënda kundër palestinezëve dhe kufizimeve në Rripin e Gazës.

Ai tha se Doha ofron mbështetje politike, humanitare dhe zhvillimore për “popullin vëlla palestinez” dhe kontribuon në rindërtimin e Rripit të Gazës, që po “rrotullohet nën rrethim”.

Më tej, Emiri i Katarit tha se kriza në Siri është “ende në pritje të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse përmes një procesi politik që çon në një tranzicion politik”.

Al Thani gjithashtu foli për luftën civile në Sudan, duke theksuar se dënojnë “krimet e kryera kundër civilëve në kryeqytetin Khartoum dhe rajonin Darfur”. Ai bëri thirrje për “mbajtjen e autorëve përgjegjës” dhe për ndërprerjen e luftimeve.

Ai pohoi “mbështetjen e Katarit për të gjitha përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për lehtësimin e arritjes së një armëpushimi dhe për zhvillimin e një dialogu midis forcave sudaneze për të ardhmen e Sudanit, me vetëm një ushtri të ngarkuar për mbrojtjen dhe jo për qeverisjen e vendit”.

Për Libanin ai theksoi nevojën për gjetjen e një “zgjidhjeje të qëndrueshme” për vakumin politik dhe formimin e një qeverie të aftë për të adresuar aspiratat e popullit libanez dhe për t’i nxjerrë ata nga kriza e tyre ekonomike dhe zhvillimore.

Në fjalimin e tij, ai foli edhe për Jemenin, Libinë, Afganistanin dhe pajtimin e fundit midis Iranit dhe Arabisë Saudite, si dhe bëri thirrje për një “zgjidhje radikale paqësore” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Lidhur me incidentet e djegies së kopjeve të Kuranit në disa vende evropiane, emiri tha se është “e pabesueshme që ne të shpërqendrohemi nga një idiot ose një person i njëanshëm sa herë që i shkon ndërmend të na provokojë duke djegur Kuranin ose me forma të tjera të pa rëndësishme”.

“Kurani është shumë i shenjtë për t’u përdhosur nga një person i pamend”, tha ai, duke shtuar se “komprometimi i shenjtërisë së të tjerëve qëllimisht nuk duhet të shihet si një shembull i lirisë së shprehjes”.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Pensioni minimal të jetë 18.000 denarë”, duan pensionistët dhe kërkojnë dorëheqjen e Kovaçevskit dhe Trençevskës

Story i radhës

Milionat nuk kanë fund për Ronaldon!

Të fundit nga

ShkoLartë