Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, shprehu shqetësimin e saj të madh për sulmet e Izraelit ndaj Palestinës, duke theksuar se Ankaraja do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të ofruar të gjitha llojet e mbështetjes për palestinezët, transmeton Anadolu.
Erdoğan tha se, “Sot, si rezultat i sulmeve të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze dhe veçanërisht në Gaza që nga 7 tetori, ne jemi dëshmitarë të efekteve të tmerrshme që një luftë mund të ketë mbi gratë dhe fëmijët”.
“Ndërsa Izraeli lëshon një breshëri të paprecedentë bombash dhe plumbash mbi civilët në Palestinë, reagimi ynë kolektiv është një tmerr dhe shqetësim i plotë”, tha Erdoğan në një intervistë ekskluzive për Newsweek.
Izraeli ka shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje dhe lëndime duke synuar shkollat, vendet e adhurimit, objektet dhe madje edhe korridoret humanitare, tha Erdoğan, duke shtuar gjithashtu se i ka bërë të papërdorshme 18 nga 35 spitalet në Gaza pas sulmeve të tij dhe kufizimeve të burimeve, përfshirë spitali Spitalin e Miqësisë Turko-Palestineze.
“Fatkeqësisht, nuk ka asnjë strehë të sigurt në rajon për 1,5 milion banorë të Gazës që u zhvendosën me forcë. Ka gra shtatzëna, nëna me foshnja dhe fëmijë me nevoja të veçanta në mesin e këtyre njerëzve. A mund ta imagjinoni se sa e vështirë është për ta të përballen me kushtet e konfliktit dhe zhvendosjes?”, tha ajo.
Ajo theksoi se Türkiye nuk percepton asnjë ndryshim midis fëmijëve palestinezë dhe fëmijëve nga Ukraina, Evropa, Amerika, Türkiye apo kombe të tjera dhe se: “Çdo fëmijë ka të drejtën për një shtëpi të sigurt dhe të rehatshme, si dhe një arsim dhe kujdes të mirë shëndetësor, pavarësisht nga vendi i lindjes”.
– Izraeli vepron me “reflekse organizative'”
Izraeli ndjek një mënyrë të ndëshkimit kolektiv pa dallim midis burrave dhe grave, fëmijëve dhe të moshuarve, tha Erdoğan.
Duke theksuar se Izraeli shpërfill rregullat më themelore të së drejtës ndërkombëtare, Zonja e Parë e Türkiyes, tha se “Ajo që po ndodh tani në Gaza nuk mund të përshkruhet as si një luftë. Me teknologjinë e tij të fundit të armëve, ky është një shtet që vepron me reflekse organizative”.
“Aktualisht në Palestinë, një shtet ndërluftues po kryen qartazi krime lufte, që përbëjnë krime kundër njerëzimit, në kundërshtim me vlerat universale humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare. Mizori të tilla nuk mund t’i konsiderojmë si një problem që prek vetëm Palestinën, rajonin ose vendet muslimane”.
Njerëzit me ndërgjegje, nga Lindja në Perëndim, po ngrihen për kauzën e drejtë të Palestinës dhe miliona njerëz po protestojnë në rrugë, sheshe dhe kampuset universitare anembanë globit kundër “mizorive” të Izraelit , shtoi Erdoğan.
Duke potencuar samitin e fundit të Bashkuar për Paqe në Palestinë në Istanbul, ajo tha se Türkiye vazhdon përpjekjet e saj intensive për të njoftuar botën me “masakrën” dhe për të ndaluar sulmet.
“Vendi ynë do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të ofruar të gjitha llojet e mbështetjes për popullin palestinez plotësisht brenda fushës së përpjekjeve të ndihmës humanitare. Më duhet të theksoj se Türkiye mbetet si një nga vendet kyçe për zgjidhjen e krizave dhe problemeve në rajon. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përpjekjet e nevojshme, duke përfshirë edhe rolin e garantuesit, për të ruajtur paqen që do të vendoset në këtë kontekst,” tha Erdoğan.
– Ndezja e flakës së konfliktit është “të marrësh pjesë në këtë masakër”
Erdoğan u bëri thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë që të bashkëpunojnë për të arritur një paqe afatgjatë në Gaza.
Për rritjen e mbështetjes ushtarake nga SHBA-ja për Izraelin, ajo tha se ndezja e flakës së konfliktit është “në termat më të thjeshtë të marrësh pjesë në këtë masakër”.
“Raketat të cilat SHBA-ja ndihmoi Izraelin t’i ketë, synojnë spitalet, të porsalindurit në inkubatorë në kujdesin intensiv, shkollat, xhamitë dhe kishat, ambulancat që transportojnë pacientë dhe kampet e refugjatëve. Prandaj kush mund të pohojë se Washingtoni luan një rol konstruktiv në konflikt, duke qenë se ata vetë janë bashkëpunëtorë në këtë akt të urryer?”, tha ajo.
Mbështetja e palëkundur e dhënë Tel Avivit nga një vend që e projekton veten “si udhëheqësi i Perëndimit” çon në thellimin e konfliktit izraelito-palestinez dhe madje përbën një kërcënim për paqen dhe rendin global, tha Erdoğan.
Ajo theksoi se Türkiye u bën thirrje të gjitha vendeve që duan një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për rajonin dhe botën që të dëgjojnë thirrjen e njerëzve për paqe, jo ta heshtin atë, dhe tha se, “Ata duhet të mobilizojnë të gjitha burimet e tyre për t’i dhënë fund konflikteve dhe për t’u bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë ligjin ndërkombëtar”.
Ankaraja i jep përparësi vendosjes së një armëpushimi dhe shpërndarjes së vazhdueshme të ndihmës humanitare mbi të gjitha, tha ajo.
Në lidhje me politikën e Izraelit për të bllokuar ndihmën e destinuar për rajonin, Erdoğan tha: “Ne refuzojmë dënimin e dhënë për Gazën, e cila tashmë është shkatërruar, dhe për qytetarët e pafajshëm që jetojnë atje.”
“Vija e kuqe e çdo personi të ndërgjegjshëm duhet të jetë marrja e jetës së një personi të pafajshëm për një krim që nuk e ka kryer, ose loti i një foshnjeje ose klithma e një fëmije që thotë “dua të jetoj”.
“Kur armët kimike u hodhën mbi fëmijët, kur vendbanimet civile, duke përfshirë institucionet e OKB-së, u vunë në shënjestër dhe kur punonjësit e ndihmës humanitare luteshin për ndihmë me letra, vija e kuqe duhej të ishte shkelur për të gjithë ne. Në fenë tonë, vrasja e një personi të pafajshëm është i ngjashëm me ‘vrasjen e njerëzimit’”, tha Erdoğan.
Për heshtjen e komunitetit global përballë sulmeve që kanë vazhduar prej javësh, ajo tha: “Turkiye do të luftojë për një mirëkuptim mbarëbotëror që i mirëpret njerëzit me dhembshuri dhe i sheh ata si thelbësisht të rëndësishëm, pavarësisht nga gjuha, feja apo përkatësia etnike”.
“Ne do të vazhdojmë në çdo kohë për të rivendosur besimin, stabilitetin dhe paqen në rajon dhe në mbarë botën”, shtoi ajo.
Ankaraja mbështet një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke përfshirë krijimin e një shteti palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe shtëpitë e kultit, si përgjigje ndaj sulmit ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.
Të paktën 13.300 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 5.650 fëmijë dhe 3.550 gra.
Në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar, janë dëmtuar ose shkatërruar mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha.
Sipas shifrave zyrtare, numri i izraelitëve të vdekur është rreth 1.200.