Emërimet në Agjencinë e Zbulimit / U anashkaluan shqiptarët, u vendos zëvendësdrejtor që s’plotëson kushtet?

min lexim

Kaloi java dhe asnjë lëvizje nuk është bërë në lidhje me emërimet në Agjencinë e Zbulimit.

Përveç se asnjërin prej drejtuesve të këtij institucioni nuk e emëroi shqiptar, siç ka qenë praktikë deri më tani, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova po ashtu vendosi që zëvendësdrejtoreshë ta emërojë dikë që nuk është e qartë nëse i plotëson kushtet ligjore për ta mbajtur këtë post.

Emërimi i Ivana Stojanovskas si zëvendësdrejtoreshë ka ngritur çështjen se çfarë llogarit Presidentja si përvojë pune për ta emëruar dikë zëvendësdrejtor në Agjencinë e Zbulimit.  

Neni 9 i Ligjit për Agjencinë e Zbulimit parasheh që kusht për t’u bërë zëvendësdrejtor është që kandidati të ketë së paku dhjetë vjet përvojë pune në fushën e sigurisë, mbrojtjes apo politikës së jashtme, nga të cilat pesë vjet në pozicion drejtues në Agjenci.

Kur e pyetën kabinetin e presidencës për këtë, në përgjigjen që na e kthyen me biografinë e Stojanovskas, në 10 vitet e nevojshme për përvojë pune, kabineti llogarit edhe vitet kur ajo ka qenë e angazhuar nëpër universitete, si bashkëpunëtore dhe pjesë e stafeve akademike-hulumtuese.

Sipas të njëjtës biografi që na e dërguan nga “Vila Vodno”, del se Stojanovska në Agjencinë e Zbulimit nis të punojë në vitin 2016, pra para 8 viteve. Mungojnë edhe dy vite përvojë e nevojshme, siç e parasheh ligji, por me sa duket këto dy vite Presidentja i llogarit nga puna e Stojanovskas në universitete, andaj shkruan se “Ivana Stojanovska e plotëson kushtin e paraparë me ligj, që të ketë së paku dhjetë vjet përvojë pune në fushën e sigurisë, mbrojtjes apo politikës së jashtme, nga të cilat pesë vjet në pozitë drejtuese në Agjenci, dhe ka gjithsej 18 vjet përvojë në këtë fushë”.

Përveç kësaj, në përgjigjen e kabinetit theksohet se Presidentja “i ushtron të drejtat dhe detyrat e saj në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve dhe ekskluzivisht e udhëhequr nga interesat kombëtare maqedonase”. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të del kështu, apo janë bërë lëshime, megjithatë në mediat online tashmë qarkullojnë fotot të zëvendësdrejtoreshës e cila shihet në shoqëri ku i pranishëm është edhe Hristijan Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE-së, partisë që e mbështeti Siljanovska-Dakvovan në garën për presidente. Kujtojmë se drejtori i shkarkuar i Agjencisë, Erolld Musliu, në një reagim me shkrim për shkarkimin e tij nga presidentja, shkruante se Presidentja ra pre e presioneve partiake.

Përveç krejt këtyre dilemave, një çështje tjetër që u shtrua pas emërimit të drejtoreshës dhe zëvendësdrejtoreshës së re të Agjencisë së Zbulimit, është anashkalimi i shqiptarëve për t’u vendosur në ndonjërën pozitë udhëheqëse. Pasi e shkarkoi Erolld Musliu si drejtor, në vend të tij Presidentja e vendosi Gabriella Jakovllevën, ndërsa në vend të Aleksandra Bakrevskës e zëvendësdrejtore e bëri Ivana Stojanovskën. Kjo ngjalli reagime brenda Agjencisë së Zbulimit. Të punësuarit shqiptarë, siç mësoi TV21, janë revoltuar për shkak se asnjëri prej drejtuesve të këtij institucioni nuk është shqiptar, gjë nuk ka ndodhur tash e 20 vite, ku të paktën zëvendësi ka qenë shqiptar. -Janë anashkaluar të punësuar shqiptarë që në të vërtetë i plotësojë të gjitha kushtet, i tha TV21 një burim nga AZ.

Kjo hapi debat dhe përplasje edhe mes partive politike. Opozita Fronti Europian akuzoi koalicionin VLEN në pushtet se po lejon defaktorizim të shqiptarëve. VLEN u përgjigj se “kanë zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare, institucion që sipas programit të Qeverisë pritet të fuzionohet me Agjencinë e Inteligjencës. Pas kësaj reforme, siç u tha, propozimi i koalicionit VLEN për zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare do të jetë zëvendës edhe në shërbimin e integruar të inteligjencës.

Se a do të bashkohen dy institucionet dhe kur do të bëhet kjo, mbetet të pritet, ose në të kundërtën do të mbetet që në periudhën në vijim asnjë prej drejtuesve të Agjencisë së Zbulimit të mos jetë shqiptar.

Burimi: tv21

Story i mëparshëm

Analisti kroat “i zhgënjyer” me Pahorin: S’e përkufizoi qartë këtë gjë!

Story i radhës

Apanazhet: Drejtësi ligjore apo abuzim me buxhetin e shtetit

Të fundit nga