Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se ushtari italian i ka kërkuar policit të largojë veturën zyrtare nga Ura e Ibrit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka sqaruar se policia është larguar pasi që ushtari italian shprehu dëshirën që të shkrepë disa fotografi të karabinerëve.
“Ushtari italian i ka kërkuar Policisë së Kosovës të largohet për të marrë disa foto të karabinerëve, por s’ka kërkuar largimin e policisë nga Ura e Ibrit”, ka thënë Elshani.
Të shtunën por edhe sot janë parë forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR-it mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë.
KFOR ka thënë se vendosja e tyre është pjesë e trajnimit që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.