Pronari i ri i Twitter, Elon Musk, po tregohet i ashpër me punonjësit e tij, të cilëve u ka kërkuar të angazhohen në punë me orë të zgjatura ose përndryshe të largohen nga kompania, shkruan BBC.
Në një e-mail drejtuar stafit, ai u ka thënë punonjësve se duhet të pajtohen me zotimin nëse duan të qëndrojnë, raportoi Washington Post.
Ata që nuk regjistrohen deri të enjten do t’u jepet pagesa e tre muajve, tha Musk.
Punëtorëve u është thënë se duhet të klikojnë në një lidhje deri në orën 17:00 EST të së enjtes, nëse duan të jenë “pjesë e Twitter-it të ri”.
“Çfarëdo vendimi që të merrni, ju falënderoj për përpjekjet tuaja për ta bërë Twitter të suksesshëm”, ka thënë ndër të tjera Musk.
Njeriu më i pasur në botë ka njoftuar tashmë se gjysma e stafit të Twitter do të shkurtohen, pasi ai bleu kompaninë në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh.
Musk tha se ai nuk kishte “zgjidhje” mbi shkurtimet pasi kompania po humbte 4 milion në ditë. Ai ka fajësuar “grupet aktiviste që u bëjnë presion reklamuesve” për “rënie masive të të ardhurave”.
Një mori drejtuesish të lartë të Twitter kanë dhënë gjithashtu dorëheqjen pas blerjes së firmës nga ana e tij./albeu.com
Burimi: GAZETA.MK