Elon Musk, sipërmarrësi i teknologjisë së lartë dhe njeriu më i pasur në botë, ka arritur një pasuri prej mbi 400 miliardë dollarësh, raportoi të mërkurën agjencia e lajmeve Bloomberg. Ky është një rekord i paparë në historinë e ekonomisë globale.
Rritja e pasurisë së tij vjen si rezultat i fitores së Donald Trump-it në SHBA. Aksionet e prodhuesit të makinave elektrike Tesla, i cili drejtohet nga Musk, janë rritur me mbi 65% që nga fitorja zgjedhore e Donald Trump më 5 nëntor. Sipas Bloomberg, në rritjen pasurisë gjigante ka luajtur rol edhe blerja aksionesh nga kompania hapësinore SpaceX, gjithashtu e drejtuar nga Musk. Bloomberg raportoi se pasuria e tij ka arritur në 440 miliardë dollarë (419,18 miliardë euro).
Rekord donacionesh për Trump
Elon Musk ka kontribuar në fushatën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, me 270 milionë dollarë, duke u bërë donatori më i madh në historinë politike të Shteteve të Bashkuara. Në shenjë mirënjohjeje, Trump e ka ngarkuar Musk, sikurse edhe një sërë mbështetës të tjerë të fushatës së tij, me drejtimin e një departamenti të ri për qeverisje efikase.
Ky bashkëpunim i ngushtë mes Muskut dhe administratës Trump ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet e SpaceX me qeverinë amerikane.
SpaceX është e angazhuar në projekte të rëndësishme, si dërgimi i satelitëve ushtarakë në hapësirë dhe transporti i astronautëve në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Sipas “New York Times”, kompanitë e Musk kanë marrë kontrata publike në vlerë prej tre miliardë dollarësh (2,85 miliardë euro) vetëm vitin e kaluar./DW
Burimi: botasot.info