Elisabeth II – Mbretëresha e rekordeve ndërroi jetë

min lexim

Për shumëkënd Mbretëresha Elizabeth II ishte mishërimi i Britanisë së Madhe. Britanikët e donin dhe respektonin mbretëreshën e tyre.

Ajo ishte mbretëresha me kohën më të gjatë në fron në historinë britanike. Jeta e saj e gjatë ishte shërbim. Kështu e konsideronte Elisabeth II jetën e saj. Qëkurse ishte princeshë, në ditëlindjen e saj të 21-të, në vitin 1947, ajo iu drejtua popujve në mbarë Commonwealth-in me fjalët: “Betohem përpara jush, se gjatë gjithë jetës sime, qoftë ajo e gjatë apo e shkurtër, do t’ju shërbej juve të gjithëve dhe familjes së madhe perandorake, së cilës ne të gjithë i përkasim.” Këtë fjalim të shkurtër me moton e jetës së saj Elizabeth e regjistroi në radio gjatë udhëtimit në Kejptaun. Ajo i shfrytëzonte medien dhe komunikimin modern dhe ishte e para që kurorëzimin në fron në vitin 1953 e transmetoi drejtpërdrejt në televizion. Një ngjarje botërore kjo.

Image

Foto ilustrim

Asnjëherë më parë një premtim i tillë i jashtëzakonshëm nuk është respektuar kaq ekzaktësisht. Në kohët, kur rritet dhe politika ndryshojnë vazhdimisht, madhëria e saj ka mbetur e pandryshuar, një shkëmb graniti për kombin tonë e ndonjëherë për mbarë botën” – me këto fjalë e vlerësoi atë ish-kryeministri britanik, David Cameron, me rastin e jubileut të 60-të në fron në vitin 2013. Mbretëresha e Britanisë së Madhe dhe e Irlandës së Veriut, e territoreve e pronësive të tjera të saj, kreu i Commonwealth-it dhe mbrojtësja e besimit” (ky është titulli korrekt i saj) ka qenë mjaft e dashur në mbarë botën, dhe edhe në Gjermani.

Kriza e madhe pas vdekjes së princesës Diana

Mbretëresha u ka bërë ballë të gjitha dramave, divorceve, skandaleve. Si ato me Princ Charles-in, djalin e madh të mbretëreshës. Vetëm në vitin 1997 popullariteti i saj pësoi një lloj tronditjeje. Elizabeth II mbajti zi vetëm pas një ngurrimi të gjatë për nusen e djalit, princeshën Diana dhe britanikët e konsideruan asokohe si shumë të ftohtë. Pas vdekjes së Dianës në një aksident në një tunel në Paris, mbretëresha doli para kamerave në Buckingham Palace vetëm pas kritikave publike: “Ne u përpoqëm ta përpunojmë në mënyrën tonë këtë situatë. Nuk është e lehtë ta shprehësh me fjalë dhimbjen për njeriun e humbur, sepse pas shokut fillestar të krijohet një pështjellim i shumë ndjenjave: pasiguri, frikë e shqetësim për ata, që mbeten pas.” Ajo foli si mbretëreshë dhe gjyshe e veshur me një kostum të zi dhe ruaza perlash. Populli u pajtua me të.

Image

Mbretëresha Elisabeth

Mbretëresha u është përgjigjur ftesave për dhjetra-mijëra takime. Ajo ka bërë qindra udhëtime jashtë vendit, gjithmonë e buzëqeshur dhe asnjëherë nuk është prononcuar për politkë. Megjithatë ajo e dinte gjithmonë, se çfarë ndodhte, është shprehur për të ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher. “Ajo ka njohuri të shkëlqyera për zhvillimet aktuale dhe një thesar të çmuar përvoje. Këshillat dhe rekomandimet e saj janë gjithmonë shumë solide. Si kryeministre unë kam përfituar jashtëzakonisht prej saj.”

Image

Mbretëresha Elisabeth

Gjatë kohës së saj në fron mbretëresha Elisabeth II ka përjetuar 15 kryeministra – nga Winston Churchill deri tek Boris Johnson dhe Lis Truss. Çdo javë ajo ka pritur politikanë për bisedime konfeidenciale në pallatin mbretëror. Jo vetëm kryeministra, por edhe gjyqtarë, sindikalistë, sipërmarrës dhe njerëz të thjeshtë. “Audiencë do të thotë për mua që t’i takoj njerëzit, pa dëgjuar dikush tjetër se çfarë bisedoj me ta. Kjo më mundëson të kem një pasqyrë të qartë, se çfarë ndodh në qeveri apo në nivelet e administratës. Shumë janë njerëz fare të thjeshtë, por unë mund të takoj këdo, që dua ta takoj.” Kështu e ka shpjeguar stilin e saj të punës mbretëresha në intervistë për BBC.

Kuajt ishin gjithçka për të

Unë nuk kisha kohë të mësoja, babai im ndërroi jetë shumë shpejt. Mua më duhej papritur të marr përsipër drejtimin dhe mundësisht të bëja një punë të mirë.” Mbretëresha e vlerësonte me shumë seriozitet punën e saj. Disiplina ishte lajtmotivi i saj. Pasioni i saj ishte jeta rurale. Kuajt. Qentë e saj. Mbi 30 qenë të racës Corgies e kanë shoqëruar mbretëreshën. Që nga viti 2012 ajo nuk ka marrë më ndonjë qen të ri, sepse nuk donte që ndonjëri nga qentë të rronte më gjatë se ajo.

Image

Mbretëresha Elisabeth

Ajo është gjithmonë e lumtur dhe qesh kur është fjala për kuajt. Me to ajo çlodhet. Ajo e dallon në 30 metra distancë një kalë të plagosur”, kujton ish-zëdhënësi i saj Dickie Arbiter. Gruaja e pakët me flokë të bardhë, e cila shpesh vishej me ngjyra të theksuara, të bënte përshtypje. Edhe një tjetër karizmatik, ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama, pas vizitës së tij të fundit në kështjellën Windsor e vlerësoi atë: “Queen ishte gjithmonë një burim frymëzimi për mua dhe për shumë njerëz në mbarë botën. Ajo është një person që të mahnit dhe një xhevahir i vërtetë jo vetëm për Britaninë e Madhe, por për të gjithë botën.”

Goditje fati në muajt e fundit të jetës

Së fundi mbretëresha përballoi disa goditje nga fati: nipi i saj princi Prinz Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan u shkëputën me shumë bujë mediatike nga cirku Windsor duke e paraqitur veten si fëmijë mbretërorë të keqkuptuar. Meghan, vajzë e një nëne me ngjyrë dhe një babai të bardhë, e akuzoi familjen Windsor për racizëm në një intervistë të transmetuar në mbarë botën në mars 2021. 

Image

Mbretëresha Elisabeth

Edhe më e fortë ishte goditja në rastin e princit Andrew: djali i dytë i mbretëreshës u akuzua nga një gjykatë në Nju- Jork në kontekstin e skandalit të abuzimeve rreth multimilionerit nga SHBA Jeffrey Epstein. Paditësja e akuzoi princin, se përpara 20 vjetësh e kishte keqtrajtuar atë disa herë seksualisht. Andrew e hedh poshtë akuzën. 

Por më e dhimbshme ishte vdekja në prill 2021 e bashkëshortit princ Philip, me të cilin Elizabeth II ishte e martuar prej më shumë se 73 vjetësh. “Ai ishte shtylla ime gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh ajo.

“Madhëri dhe mami”

Por pak pas varrimit të princit Philip mbretëresha iu rikthye detyrimeve të saj si kreu i shtetit – së fundi ajo lëvizte duke u mbajtur me bastun, por asgjë nuk binte në sy. Kur mjekët e këshilluan të ndërpresë udhëtimin e planifikuar për në Irlandën e Veriut dhe të qetësohej disa ditë, ajo e pranoi këtë por “pa dëshirë”, sikurse mësohet nga Buckingham Palast. 

Image

Mbretëresha Elisabeth

Djali i saj i madh, princi Charles (lindur më 1948) e ka pritur prej kohësh që do të jetë pasuesi i saj. Në jubileun e 60-vjetorit në fron princi Charles e quajti me dashuri “madhëri dhe mami”. Charles është përpjekur të jetë i çlirët, gjë që nuk i ka pëlqyer mamasë së tij. “Madhëria Juaj, miliona njerëz, kështu më thonë, ëndërrojnë të pijnë njëherë çaj me Ju.” Mbretëreshës nuk i shpëtonte asnjë lëvizje e mimikës, ndonëse i buzëqeshte me përzemërsi publikut. Vetëm kur Charles i uroi asaj sipas traditës tri herë jetë të gjatë dhe populli këndoi himnin e saj “God save the Queen” nëna e kombit duket se u kënaq./DW

Story i mëparshëm

Demiraj, zbulon pse ishte i pashmangshëm dëbimi i ambasadës dhe misionit iranian nga Shqipëria

Story i radhës

Vazhdon debati për propozimet për gjykatës kushtetues para komisionit parlamentar amë

Të fundit nga