Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.
Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri, në Nikël të Krujës shtetasin Kejsi Hysa dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.
Ngjarja
Krimi i tmerrshëm tronditi zonën në korrik të vitit 2018, ku Hysa u qëllua me një plumb të vetëm pushke në kokë, duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas u gropos pranë parcelës me kanabis.
Për ngjarjen e rëndë ishte bërë shkak humbja e një sasie prej 50 kg kanabis. Viktima, Kejsi Hysa, që njihej edhe me disa emra të tjerë (Elion Hysa dhe Piku Hysa) ku më i spikaturi është “Piku Fajdexhiu”, kërkohej nga Policia e Sarandës për vrasjen e Edmond Theodhorit, ndërsa jetonte në Krujë ku jepte para me fajde dhe kultivonte lëndë narkotike kanabis sativa.
Madje, në këtë zonë administronte i pa shqetësuar edhe një lokal i quajtur bar “Nikla”, ku ishte njohur edhe me Hysni Ramën. Ky i fundit, e ndihmonte për të ruajtur lëndën narkotike kundrejt pagesave nga 100 deri në 200 euro. Por, pati një moment kur krisja midis dy miqve ishte e pa kthim dhe shkak ishte 50 kg kanabis e humbur.
Hysni Rama ka pretenduar se droga ishte vjedhur, ndërsa në këmbim, Hysa ka kërkuar 15 mijë euro. Për këtë arsye, ata kanë lënë takim për t’u sqaruar, ku sipas prokurorisë, janë përfshirë në debate të ashpra për shkak se i kishte sjellë vetëm 1 milion lekë të vjetra.
Në përleshje, Hysa i ka vënë pistoletën në kokë dhe e ka çuar deri tek parcela, por aty, vjen Agron Tufa dhe e qëllon në kokë. Aty bien dakord për ta groposur viktimën dhe më pas shkojnë për të luajtur bilardo, duke lënë makinën e Hysës në vendngjarje. Më vonë, në banesën e Ramës ndajnë eurot e vjedhura të “Piku Fajdexhiut”.
Pas vrasjes, vëllai i të ndjerit, kanë detyruar Hysni Ramën të hipte në makinën e tyre dhe të tregonte të vërtetën. Në këtë moment, Agron Tufa telefon Policinë dhe Rama është liruar. Më pas u zbardh e gjithë ngjarja prapa së cilës qëndrojnë pazaret e drogës.