Eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide, duke analizuar fjalimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Samitin e G20, u shpreh se SHBA në gjuhën diplomatike nuk ka kërkuar vetëm ndalimin e luftës në Ukrainë.
Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në Abc News, Hide u shpreh se kërkohet që Rusia të ndalë veprimet armiqësore ndaj Ukrainës dhe të tërhiqet nga rajonet e aneksuara.
Sipas tij, SHBA dhe Ukraina nuk kanë dakordësi se me çfarë baze do të nisin negociatat me Rusinë, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se nuk do të bëjë kompromis për territorin e vendit.
“Në gjuhën diplomatike, ndalimi i luftës do të thotë që ndërpriten veprimet armiqësore të një shteti ndaj një shteti tjetër, që në këtë rast është individi Putin, që ka dhe vendimin kryesor. Vija nuk është vendosur për një arsye shumë të thjeshtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto momente, nuk kanë arritur një dakordësi me Ukrainën, me çfarë baze do të fillojnë negociatat. Vetë ukrainasit kanë refuzuar nëpërmjet gojës së Zelensky-t që nuk do të negociojnë asgjë që ka të bëjë me territorin ukrainas”, theksoi ai.
Ndërsa, kapiten Artur Meçollari deklaroi se SHBA dhe partnerët perëndimorë kanë shprehur mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Sekretari i NATO-s, kancelari Scholz, presidenti Macron, presidenti i Shteteve të Bashkuara, sekretari Blinken kanë deklaruar se njohin integritetin territorial të Ukrainës dhe do ta ndihmojnë Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Zelensky ka thënë; ne futemi në bisedime kur të ketë tërheqje të plotë”, nënvizoi Meçollari.