Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka nxjerr disa përfundime lidhur me atë se çfarë politikash për Kosovën do të përdorë Donald Trump, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Trump gjatë admnistratës së tij të parë, mënjoi çështjet më komplekse politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u fokusua në normalizimin ekonomik midis dy vendeve.
Sipas tij, qasja e Trumpit shihej si kërkim i fitoreve të shpejta të politikës së jashtme.
“Para se të mund të ofroj se çfarë politikash mund të ndjekë Trumpi ndaj Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të dytë si president, është e rëndësishme të kujtojmë politikën e tij gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021). Nga kjo, ne mund të nxjerrim përfundimin se çfarë politike mund të përqafojë ai gjatë mandatit të tij të ardhshëm.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump emëroi Richard Grenell si të dërguarin special presidencial për negociatat e paqes në Serbi dhe Kosovë në vitin 2019. Administrata e tij u fokusua në normalizimin ekonomik midis dy vendeve, ndërsa mënjanoi çështjet më komplekse politike. Në shtator të vitit 2020, Trump ndërmjetësoi “Marrëveshjen e Uashingtonit”, e cila u konsiderua neutrale, për të zbatuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja përfshinte dispozita si rivendosja e fluturimeve ndërmjet kryeqyteteve, pezullimi i fushatës së çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës për një vit dhe ndërprerja e përpjekjeve të Kosovës për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare. Siç dihet, qasja e Trumpit në përgjithësi shihej si kërkim i fitoreve të shpejta të politikës së jashtme, ndonjëherë në kurriz të parimeve të vjetra në rajon”, është shprehur eksperti për gazetën.
Ndërsa, lidhur me mandantin e ardhshëm, Ben-Meir nuk e ka përjashtuan mundësinë që Trump të ringjallë propozimin për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi. Profesori parashikon gjithashtu edhe heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodik, gjë që sipas tij, mund të destabilizojë rajonin.
Ai përmend edhe rolin e Richard Grenellit.
“Politikat e mundshme të afatit të dytë (duke filluar nga janari 2025):
Një zhvendosje nga neutraliteti në promovimin aktiv të interesave serbe në rajon është i mundur, gjë që mund të çojë në ringjalljen e propozimit të diskutueshëm të shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, për të cilin Kosova kundërshton. Ai potencialisht mund të heqë sanksionet ndaj aktorëve si Milorad Dodik në Republikën Srpska të Bosnjës, gjë që mund të destabilizojë rajonin. Përveç kësaj, mund të ketë gjithashtu një fokus të ripërtërirë në marrëveshjet dhe partneritetet ekonomike në vend të deklaratave më të gjera për demokracinë. Richard Grenell mund të luajë një rol të rëndësishëm në formësimin e politikës ballkanike nëse i jepet një pozicion në administratë”, ka thënë Ben-Meir.
Sipas ekspertit, Trump mund të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, derisa harmoni më të ngushtë, ai parashikon me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin potencial hungarez Viktor Orban.
“Duke pasur parasysh tendencën e tij për të admiruar burrat e fortë, nuk do të ishte për t’u habitur nëse Trump do të kërkonte një harmoni më të ngushtë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin potencial hungarez Viktor Orban për çështjet rajonale. Ai ka të ngjarë të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Për më tepër, i njohur për dëshirën e tij për të arritur rezultate të shpejta, Trump mund të shkëputet nga rajoni nëse nuk e konsideron atë një prioritet strategjik dhe potencialisht, ai do t’ia linte atë BE-së”.
Megjithatë, profesori ka theksuar se SHBA-ja nuk do të ndryshojë qëndrim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe pse sipas tij, mund të ketë ndryshime në praninë ushtarake amerikane në vend.
“Së fundi, dua të përsëris atë që kam thënë më parë. Qëndrimi themelor i SHBA-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht se kush është presidenti. Edhe pse skepticizmi i Trump ndaj NATO-s mund të ndikojë në praninë ushtarake të SHBA-së në Kosovë, këtu përsëri, nuk ka të ngjarë të ketë tërheqje dramatike për shkak të kundërshtimit të Kongresit. Kjo ka qenë konsistente në të gjithë administratat republikane dhe demokratike, sepse ruajtja e stabilitetit në Ballkan mbetet një interes themelor strategjik i SHBA-së që kapërcen administratat.
Dua të theksoj se këto politika të mundshme janë spekulative dhe bazohen në politikën e Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të parë, si dhe veprimet dhe deklaratat e tij dhe deklaratat e caktuara nga këshilltarët e tij për politikën e jashtme. Është e panevojshme të thuhet se politika aktuale e Trump mund të ndryshojë në varësi të faktorëve të ndryshëm dhe zhvillimeve rajonale”, ka thënë Alon Ben-Meir për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info