Ekspertët: Rusia përdor emigracionin për të ndihmuar populistët në Letoni

min lexim

Qeveritë e Bashkimit Evropian kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e çështjes së emigracionit si një armë, duke ndihmuar imigrantët e paligjshëm të kalojnë në BE për të nxitur tensionet politike në vende si Finlanda, Polonia dhe Letonia. Analistët politikë në Letoni thonë se kjo taktikë, pjesërisht, çoi në fitoret e partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane të këtij viti.

Kryeqyteti i Letonisë, Riga është përfshirë nga debate të forta mbi çështjen e emigracionit në vend, ashtu si në Lituani dhe Poloni. Ekspertët letonezë thonë se kjo u shkaktua pjesërisht nga përdorimi i emigracionit si një “armë” nga Rusia dhe aleati i saj, Bjellorusia.

“Rusia dhe Bjellorusia paguanin mijëra irakianë, sirianë dhe i transportonin me avion në Minsk. Pastaj i dërgonin ata me autobus në kufirin me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë”, thotë Veiko Spolitis, ish-zëvendësministër letonez i Mbrojtjes.

Emigrantët filluan të grumbulloheshin pranë kufijve në vitin 2021. Zoti Spolitis thotë se Rusia dhe Bjellorusia kishin një qëllim të qartë.

“Për të krijuar debate në politikën letoneze, që do të ndihmonin ardhjen e partive populiste në pushtet”, thotë ai.

Udhëheqësi i partisë Letonia e Para, Ainars Slesers ka përfituar nga këto debate thotë zoti Spolitis. Ai organizoi protesta kundër përdorimit të vaksinave të COVID-19 në vitin 2021.

Zoti Slesers është gjithashtu një sipërmarrës dhe politikan i njohur në Letoni, që po punon në një projekt për të ndërtuar apartamente dhe hotele të reja në bregun e lumit Dougava në Riga. Ai ka mbajtur qëndrime të forta për ekonominë dhe emigracionin.

“Ne nuk kemi nevojë të sjellim njerëz nga vendet e botës së tretë, që do të sjellin krim dhe probleme në vendin tonë. Ne po shohim se çfarë po ndodh në shumë vende të Evropës. Nuk dua t’i përmend emrat e këtyre vendeve, por ju e dini, këta emigrantë vërtetë sollën një rritje të shkallës së krimit. Kjo është e tmerrshme”, tha ai.

Por lidhja mes emigracionit dhe krimit nuk është aq e thjeshtë, thotë Martin Lange nga Qendra Leibniz për Studime Ekonomike Evropiane, i cili e ka studiuar këtë çështje.

“Nuk është gjithmonë e qartë se emigrantët e rinj, pavarësisht nga cili vend vijnë, rrisin shkallën e krimit. Nëse nuk lejohen të punojnë, nëse kanë kushte të këqija jetese, kjo mund shkaktojë rritjen e krimit”, thotë ai.

Disa analistë thonë se përdorimi i emigracionit është pjesë e “luftës hibride” të Rusisë kundër Perëndimit, që ka për qëllim të krijojë përçarje në qendrat e BE-së dhe të forcojë partitë e ekstremit të djathtë me qëndrime më të favorshme ndaj Moskës.

Por disa ekspertë thonë se ndikimi i frikës në rritjen e numrit të votuesve që mbështesin partitë populiste dhe partitë e ekstremit të djathtë në Evropë mund të jetë fryrë. Faktorë të tjerë, si ndikimi në politikën e jashtme, mund të kenë luajtur një rol më të madh.

“Përdorimi i emigracionit si një mjet i politikës së jashtme funksionon dhe politikanët mendojnë se janë ndikuar shumë negativisht nga kjo çështje. Por, nuk jam e sigurt se faktet dhe të dhënat i mbështesin këto pretendime”, thotë Kelly M. Greenhill nga Qendra MIT për Studime Ndërkombëtare.

Letonia e Para fitoi një vend në Parlamentin Evropian në qershor, në zgjedhjet në të cilat partitë e ekstremit të djathtë shënuan fitore të mëdha në Itali, Francë dhe Gjermani.

Këtë vit Polonia kritikoi hapur përdorimin e taktikës së emigracionit nga Bjellorusia, ndërsa Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1300 kilometrash me Rusinë, ka miratuar një ligj në mes të korrikut për ta parandaluar atë./VOA

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Çfarë i ndodhi? Gazetari investigativ Artan Hoxha ‘rrethohet’ nga policia kolumbiane

Story i radhës

“Standard & Poor’s” rishikoi vlerësimin e saj të kredisë për Kompaninë Kombëtare Elektrike

Të fundit nga