“Sfida” në platformën sociale “Tik-Tok” në Maqedoninë e Veriut pak muaj më parë mori jetën e një vajze të mitur. Numri i fëmijëve që pësojnë nga sfidat e lojërave të kësaj platforme është shumë më i lartë, pasi nga MPB-ja na thanë se këto raste zakonisht nuk raportohen si të tilla, por si aksidente gjatë veprimeve të caktuara.
Se “lojërat” në këtë platformë dinë të kalojnë çdo kufij, e dëshmon edhe rasti i fundit me regjistrimin e grave shtatzëna në Gjinekologjinë e Tetovës nga një anesteziolog.
Ndër garat mes një pjesë më të madhe të të rinjve në vend aktualisht janë se cili do e ketë numrin më të madh të ndjekësve në këtë platformë sociale. Kjo pasi sipas tik-tokerit Vedat Sulejmani, sa më e madhe çmenduria, aq më shumë pëlqime e sa më shumë pëlqime, aq më shumë para.
“Prej Tik-Tokut fitohet një para shumë e madhe dhe për këtë arsye njerëzit tani sot po dalin edhe prej vetvetes, për arsye se paraja është në pyetje po i shfrytëzojnë edhe fëmijët, edhe gjërat tjera materiale. Unë personalisht për vete nuk kam bë budallakia, kam promovuar profesionin tim në të cilin tik tok-i më ka ndihmuar në këtë aspekt”, deklaroi Vedat Sulejmani, tik-toker.
Sulejmani apeloi që të shtohen kontrollet për mënyrën e përdorimit të kësaj platforme sociale, sipas tij, e njëjta mund të përdoret edhe për qëllime të mira duke mos vënë në rrezik jetën apo privatësinë e tjerëve.
Studimet tregojnë që 25 për qind e përdoruesve të Tik Tok janë nga mosha 10-19 vjeçe. Sipas psikologes Fatime Ziberi rreziku qëndron pikërisht këtu, pasi në këtë rrjet-social ekspozimi ndaj përmbajtjes dhe teksteve të papërshtatshme është alarmant, ndërsa fëmijët janë të prirë të emitojnë, gjithçka që shohin.
“Po gjasat janë të shumta sepse ajo është pikërisht ajo që e themi ne në psikologji të mësuarit sipas modelimit, atë çka e shohë dhe atë do e pëlqej, mandej ne e dimë se mosha e adoleshencës i ka ato idhujt, i ka ato të preferuarit që edhe stilin e veshjes ua kopjojnë, edhe mënyrën se si flasin, edhe gjestikulacionet, dhe fatkeqësisht nëse përdorin edhe ato diçka të ndaluar, edhe këta. pra ato marrin gjithçka komplet duke mos e përtypur dhe duke mos e menduar nëse duhet apo nuk duhet”, tha Fatime Ziberi, psikologe.
Për shkaqe sigurie këtë platformë sociale e kanë ndaluar në celularët qeveritarë në shumicën e shteteve në ShBA, Institucionet e Bashkimit Evropian, Francë, Norvergji dhe tjera. Nga ana tjetër dje kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se në vend nuk diskutohet për diçka të tillë. /alsat