Ekonomia gjermane po lëkundet. Shënohen rënie në industrinë e makinerive, elektroteknike dhe industrinë kimike. Shtohen shqetësimet për ekonominë e përgjithshme.
Në fillim të gjysmës së dytë të vitit, gjendja në ekonominë gjermane u përkeqësua papritur. Klima e biznesit sipas Ifo ka shënuar rënie në korrik nga 88.6 pikë në muajin e kaluar në 87.3 pikë. Rënie e klimës së biznesit është shënuar për të tretën herë radhazi, njoftoi Instituti ifo i Mynihut në sondazhin e tij me rreth 9.000 menaxherë. Ekspertët prisnin një rënie më të vogël.
Klima e biznesit është e turbullt në të gjitha fushat. Në industrinë e ndërtimit, treguesi ra në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2010. Kjo degë e industrisë vuan prej kohësh për shkak të rritjes së ndjeshme të normave të interesit dhe kostove të larta të ndërtimit. “Situata në ekonominë gjermane po bëhet gjithnjë e më e zymtë,” tha presidenti i Ifo, Klemens Fuest. Kompanitë janë dukshëm më të pakënaqura, veçanërisht me zhvillimet aktuale të biznesit. Ndërkohë që janë përkeqësuar edhe pritjet e bizneseve.
Nuk ka rreze shprese në industri
Sipas institutit ifo, Gjermania tani kërcënohet me një “recesion veror”, pas të ashtuquajturit “recesion dimëror”. “Faza e dobësisë në ekonominë gjermane po vazhdon,” tha Klaus Wollrabe, nga ifo. Prodhimi i brendshëm bruto pritet të bjerë në tremujorin e tretë, pas ngecjes së shënuar në pranverë. “Kompanitë mund të përpunojnë më mirë bizneset aktuale, sepse pengesat e furnizimit po zvogëlohen,” tha Wohlrabe. “Por ato kanë më pak porosi të reja.”
Nuk ka pothuajse asnjë fije shprese në industri. Ndërkohë sektori i inxhinierisë mekanike dhe elektrike si dhe industria kimike janë dobësuar kohët e fundit. Kërkesa nga jashtë është gjithashtu mjaft e dobët. “Nuk duhet të presim ndonjë rritje në fushën e eksporteve”, tha eksperti i ifo.
Ekonomia jep sinjale negative
Vëllimi i ekonomisë gjermane ka shënuar rënie në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Që atëherë në Gjermani ka një të ashtuquajtur recesion teknik. Sipas Bundesbank, ekonomia duhej të rimëkëmbej pak në tremujorin e dytë. Por rreziku i një recesioni që zgjat deri në fund të verës është rritur në mënyrë dramatike.
Për Jörg Kremer, kryeekonomist në Komerzbank, rënia tregon “një tkurrje të vazhdueshme të ekonomisë gjermane edhe në gjysmën e dytë të vitit”. “Ka shenja recesioni edhe në pjesën tjetër të Eurozonës,” tha Kremer. Edhe Jens-Oliver Niklas, ekonomist në LBBW, thotë: “Ne jemi në një recesion dhe nuk do të dalim nga ai shpejt. ”
Ndërsa Jörg Zeuner nga Union Investment, sheh një lidhje midis ekonomisë dhe tregut të aksioneve: “Fakti që indeksi i klimës së biznesit ifo vazhdon të bjerë dhe çmimet në bursë po rriten sërish, tregon edhe një herë se ekonomia reale dhe tregjet financiare janë të ndërthurura ngushtë, por që nuk janë gjithmonë reflektim i njëri-tjetrit”.
Ndërkohë që tregjet e kapitalit presin fundin e ciklit të rritjes së normave të interesit dhe e shikojnë me shumë shpresë temën e inteligjencës artificiale, sipas Zeuner, efekti i plotë frenues i politikës më të shtrënguar monetare po ndikon tashmë në ekonominë reale. “Kjo është arsyeja pse ne këtë vit nuk presim ndonjë hop në zhvillimin ekonomik,” thotë ai./DW
Burimi: GAZETA.MK