Funksionari i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ejup Rustemi, ka reaguar ashpër ndaj një lajmi të shpërndarë sot në disa media online, ku pretendohet se ai ka aksidentuar një person që drejtonte biçikletë.
Në një deklaratë publike, Rustemi ka mohuar kategorikisht përfshirjen në ndonjë aksident dhe ka sqaruar se bëhet fjalë për një incident të vogël ku biçiklisti kishte prekur pjesën e pasme të veturës së tij.
“Të dashur miq, me keqardhje konstatoj se sot në disa media online është shpërndarë një video e manipuluar dhe një lajm i pavërtetë, ku pretendohet se unë, me veturën time, paskam aksidentuar një person me biçikletë. Dua ta përgënjeshtroj kategorikisht këtë shpifje. E vërteta është krejtësisht ndryshe: nuk ka ndodhur asnjë aksident nga ana ime,” ka theksuar ai.
Rustemi shton se menjëherë pas incidentit ka ndaluar për të parë gjendjen e personit dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme, por fatmirësisht nuk ka pasur asnjë lëndim dhe situata është sqaruar në vendngjarje.
Ai i ka bërë thirrje mediave që të tregojnë më shumë kujdes dhe profesionalizëm në publikimin e lajmeve, duke shmangur shpifjet dhe informacionet e pavërteta që, siç theksoi ai, dëmtojnë rëndë etikën dhe besueshmërinë e informimit publik.