Egzon Kelmendi – Elkosi ka njoftuar se ka vendosur që të jetë pjesë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh edhe kandidat për deputet nga ky subjekt politik në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2024.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Egzon Kelmendi – Elkosi, ka thënë se vendimin për anëtarësim në AAK e ka marrë, duke vlerësuar se kjo parti përfaqëson vlerat dhe vizionin të cilave u beson.
“Me këtë anëtarësim, kam vendosur të kandidoj si deputet, i përkushtuar për të sjellë ndryshime që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës”, ka shkruar Kelmendi-Elkosi në Facebook.
Ai tutje ka shkruar se “dua të shpreh falënderimin tim të thellë për kryetarin e AAK-së, z.Ramush Haradinaj për besimin dhe mbështetjen që ka treguar në këtë rrugëtim. Një falënderim i veçantë shkon edhe për degën e AAK-së në Pejë, që ka qenë një mbështetje kyçe dhe motivim për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm”.
“Si kandidat për deputet, synimi im është të përfaqësoj me dinjitet zërin e qytetarëve tanë dhe të punoj për zgjidhje të prekshme dhe të qëndrueshme”.
“Prioritetet e mia përfshijnë zhvillimin ekonomik, përfaqësimin e prodhuesve vendor, gjithashtu duke ju siguruar që gjatë mandatit tim fokus do ta kem edhe mbështetjen e rinisë, pasi e ardhmja e Kosovës qëndron tek ata”.
“Me besim dhe përkushtim, kërkoj mbështetjen tuaj për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për Kosovën”, ka shkruar Egzon Kelmendi-Elkosi.
Edhe Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, ka njoftuar se Egzon Kelmendi do të jetë pjesë e listës së Aleancës si kandidat për deputet.
Sipas ish-kryeministrit, Elkos Group, e udhëhequr nga familja Kelmendi, është shembull i shkëlqyer i sipërmarrjes vendore dhe shtyllë e rëndësishme e ekonomisë kosovare.
“Egzon Kelmendi, duke ndjekur gjurmët e babait të tij Ramizit, ka treguar se si inovacioni dhe shpirti ndërmarrës mund të çojnë në zgjerim të biznesit dhe depërtim në tregjet e huaja,” deklaroi Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai shtoi se kjo është rruga që duhet ndjekur për të ndërtuar një Kosovë të fortë ekonomikisht.
Lideri i AAK-së theksoi angazhimin e koalicionit për të krijuar një Kosovë që jo vetëm gjeneron vende të reja pune, por edhe shndërrohet në një forcë eksportuese. “Vizioni ynë për anëtarësimin direkt në NATO përmes Planit Aksional, shpejton këto synime, që do ta bëjnë më të mirë jetën për qytetarët e Kosovës,” përfundoi kandidati për kryeministër.
Burimi: botasot.info