Disa shtete të SHBA-së dhe Meksika do të detyrohen të reduktojnë konsumin e ujit për të shmangur efektet “katastrofike” në lumin Kolorado, pasi po rajoni përballet me një thatësirë të paprecedentë, shkruan The Guardian.
Pas më shumë se dy dekadash reshjesh të reduktuara, niveli i ujit të lumit Kolorado – jetik për shtetet perëndimore të SHBA-së ka rënë në një nivel alarmues. Ciklet e thatësirës po përkeqësohen për shkak të ndryshimeve klimatike.
Pavarësisht paralajmërimeve prej vitesh, shtetet që varen nga lumi nuk e kanë ulur mjaftueshëm konsumin e ujit, duke bërë që autoritetet federale të vendosin kufizime ditën e djeshme. Arizona, deri në vitin 2023 do të reduktojnë ujin me 21%, Nevada me 8% dhe Meksika me 7%.
Kalifornia, e cila është më e varur nga uji i lumit Kolorado dhe është shteti më i populluar në SHBA, nuk do të preket vitin e ardhshëm nga këto reduktime. Në të njëjtën kohë, janë marrë masa në nivel lokal edhe në qytetet që marrin ujin nga lumi, si për shembull në Los Angeles ku u vendosën kufizime për ujitjen e kopshteve.
Lumi Kolorado e ka burimin në Malet Shkëmbore dhe rrjedh nëpër Kolorado, Utah, Arizona, Nevada , Kaliforni dhe Meksikën veriore ku më pas derdhet në det.
Lumi ushqehet kryesisht nga bora që grumbullohet në lartësi të mëdha gjatë dimrit dhe shkrihet gradualisht në muajt e ngrohtë. Por për shkak të ndryshimeve klimatike, reshjet janë ulur dhe bora po shkrihet më shpejt, duke ulur vëllimin e ujit në lumë, i cili furnizon miliona njerëz.
Shtetet perëndimore të SHBA po përballen me vitin e 23-të të thatësirës, ??më e madhja në më shumë se 1000 vite. Thatësira shton edhe intensitetin e zjarreve në pyje, të cilat po bëhen gjithnjë e më shkatërruese.