2
Shkup, 29 tetor – Edukimi mediatik nuk është vetëm aftësi, por është domosdoshmëri për çdo faktor shoqëror. Arsimi joformal, ngjarjet publike, smeinaret dhe punëtoritë luajnë rol kyç në krijimin e rezistencës kyçe kundër dezinformatave. Shteti duhet të krijojë kushte për media të pavarura, ku gazetarët do të mund të punojnë lirshëm dhe të sigurojnë informacione të besueshme për opinionin publik, me qëllim mbrojtjen e demokracisë. Këto ishin një pjesë e mesazheve, të theksuara sot në debatin publik në Kuvend, që u mbajt me rastin e ditës së edukimit medial.
Debati publik është në organizim të Forumit rinor arsimor (FRA), në bashkëpunim me Klubin për çështje dhe politika rinore.
Sipas kryearit të Kuvendit, Afrim Gashi, me rëndësi thelbësore është që të mësojmë t’i dallojmë informacionet e vërteta nga të rremet.
“Kur jemi në javën globale të edukimit mbi mediat dhe informacionin, kam kënaqësi të veçantë të ndodhem në mesin tuaj, për të reflektuar mbi rëndësinë jetike të medias dhe edukimit medial, që janë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. Kush kontrollon mediat, ka kontrolluar mendjet” është një citat kuptimplotë të cilin nuk po e përmend rastësisht; është një mesazh që përkon me situatën dhe temën e sot”, theksoi Gashi në fjalimin e tij në debat.
Gashi theksoi se është i bindur se jemi të vetëdijshëm për fuqinë e mediave në formimin e një shoqërie të informuar dhe aktive. Unë, si politikan, theksoi ai dhe si i përzgjedhur i popullit, mund të them që e shoh rolin e medias edhe përtej këtij funksioni. Them kështu sepse pushteti i saj është çelës, si në forcimin e demokracisë, ashtu edhe në kërcënimin e saj.
“Shpërndarja e një informacioni faktik, në kohë dhe të besueshëm, është mekanizmi më i mirë për të pajisur qytetarët me njohuri dhe rrethana të caktuara. Kjo i bën ata vigjilentë, aktivë dhe kritikë, të aftë për të kontribuar në zhvillimin demokratik të vendit. Në të kundërt, mungesa e informacionit të saktë, apo edhe më keq, imponimi i informacioneve të gabuara, do të manipulojë mendimet/opinionet e qytetarëve, duke krijuar kështu një masë të pavetëdijshme, madje edhe indiferente, që në asnjë mënyrë nuk i ndihmon demokracisë, zhvillimit apo ndryshimit. Ne nuk mund të ndryshojmë diçka për të cilën nuk jemi të vetëdijshëm, ndërsa jemi të vetëdijshëm vetëm kur jemi mirë të informuar. Prandaj, vlerësoj se është thelbësore të mësojmë të diferencojmë informacionin e vërtetë nga ai i rremë. Edhe më e qenësore është të sigurohemi që qytetarët, dhe në veçanti të rinjtë tanë, janë të gatshëm për të analizuar dhe vlerësuar informacionet që konsumojnë.
Gashi nënvizoi se nuk është një detyrë e lehtë në një botë të globalizuar dhe digjitale, ku media ka padyshim protagonizmin e kësaj epoke, por, përballë kësaj sfide, kërkohet një angazhim i përbashkët, një punë serioze dhe qasje gjithëpërfshirëse. Duhet vazhdimisht të promovojmë edukimin mediatik në shkolla, universitete, institucione dhe në komunitete të ndryshme. Vlerësoj se kjo është një mundësi kyçe për të thelluar bashkëpunimin mes institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave që punojnë për këtë qëllim.
Sipas tij duhet të forcojmë projektet tona dhe të sjellim ide konkrete për të siguruar edukim efektiv mediatik, që do të na mundësojë të shfrytëzojmë mediat në favor të informimit të drejtë, ndërgjegjësimit dhe promovimit të diversitetit.
Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska në fjalimin e saj sot në Kuvend theksoi se edukimi medial është kyç në shoqërinë tonë, në periudhën kur informacioni është i kapshëm lehtë dhe njëkohësisht mund të jetë edhe kontrovers.
Ajo nënvizoi se në epokën e fluksit të informacioneve, edukimit mediatik është qendër e gravitacionit në luftën kundër lajmeve të rreme.
Koordinatorja e Klubit të çështjeve dhbe politikave rinore, Dragana Bojkovska konsideron se me nxitjen, mbrojtjen dhe promovimin e edukimit mediatik në dritën e saj të vërtetë, kryejmë edhe mbrojtje të demokracisë.
“Njohuria mediatike nuk është thjesht një aftësi, por një domosdoshmëri, sepse një person modern në shoqëri duhet të orientohet në këtë botë, në të cilën kemi një fluks të madh lajmesh. Është e rëndësishme të zbulohet se cilat lajme janë të vërteta, cilat janë të rreme dhe cilat janë lajme që mund të jenë krijuar qëllimisht, për të përhapur dezinformata të caktuara”, tha Bojkovska.
Deputeti, Bojan Stojanovski sot në prezantimin e tij sugjeroi që në punëtoritë e mëposhtme të përfshihen edhe punonjësit e mediave që do të japin mendimin e tyre për këtë temë. Ai propozoi gjithashtu organizimin e forumeve të ndara sipas qarqeve dhe bashkive në vend, ku do të diskutohet kjo temë.
BURIMI: zhurnal.mk