1
Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 15 prill – Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me plagë të shumta në periudhën e fundit, por ajo që më së shumti po e lëngon është sektori i shëndetësisë. Duket se plagët nuk arrijnë të mbyllen nëpër spitalet tona dhe kjo është dhimbja më e madhe që qytetarët po e ndjejnë çdo ditë e më shumë në lëkurën e tyre.
Njeriu kur sëmuret shkon të shërohet, por në spitalet tona shpresa ka humbur. Frikësohet i sëmuri të shkojë në spital sepse nuk e di a kthehet shëndosh e gjallë apo kthehet i vdekur.
Kjo dukuri duket se nuk ka të ndalur, e së fundmi, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) gjatë së hënës ka kryer kontroll në spitalin e Kardiokirurgjisë në Shkup, pas vdekjes së një pacienti, për të cilin familjarët e tij kanë thënë se për momentin nuk kanë kushte që ta operojnë dhe nuk kanë sallë të lirë pas operacionit.
E përderisa informacionin për kontrollin e po e konfirmonte ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe po sqaronte se pacienti është pranuar në këtë klinikë dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, fatkeqësisht pacienti ka vdekur. Ministri sqaroi se nuk njëra sallë për operime është duke u rinovuar, dhe ka vetëm një sallë që funksionon. Por, faji edhe në këtë rast është jetim, e mjerë ai që ka hall e kërkon shërim në spitalet tona.
Fakt që nuk funksionon mirëfilltë sistemi i shëndetësisë është edhe tragjedia e Koçanit. Aktualisht, nga 193 pacientë të lënduar në tragjedinë e Koçanit, 48 pacientë po mjekohen jashtë shtetit, ndërsa nëntë të tjerë në Shkup. Dy pacientë vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike, të cilët janë të intubuar dhe kanë dëmtime në rrugët e frymëmarrjes. Ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme, por rreziku nga infeksionet mbetet.
Nga java e ardhshme në spitalin “8 Shtatori” një ekip mjekësh do të përkujdeset për pacientët që do të kthehen në vend, ndërsa ekspertët nga Anglia së bashku me mjekët tanë do të përgatisin protokolle, të cilët do të vlerësojnë se ku duhet pacientët të vazhdojnë mjekimin.
Kjo tregon se sa të dobët jemi si shtet dhe si sistem shëndetësor. Imagjinoni që gati mbi gjysmën e të lënduarve i kemi dërguar jashtë shtetit dhe nuk kemi pasur mundësi t’i mbajmë këtu për mjekim. Kur analizohen këto statistika, është tmerruese se çfarë sistemi të dobët shëndetësor kemi.
Dëshmi se nuk kemi një sistem të mirë shëndetësor është edhe vdekja e vajzës 14 muajsh në nëntor të vitit të kaluar. Foshnja disa herë ishte refuzuar të shtrohej në spital, edhe pse prindërit e kanë dërguar në spital vazhdimisht. Ajo çdoherë ishtë lëshuar në shtëpi, pa u shtruar fare në spital. Atëbotë, prindërit, duke parë se iu refuzua trajtimi spitalor, e dërguan në Klinikën e Kozles, nga ku gjendja e foshnjës u përkeqësua dhe vetëm më pas u shtrua në reanimacionin e Klinikës së Fëmijëve.
E përderisa të gjendet fajtori, si në shumë raste të tjera, pacientët vdesin, përcillen për në botën tjetër, ndërkaq sistemi i shëndetësisë vazhdon me avazin e vjetër.
Aktualisht ministri i shëndetësisë, Arben Taravari arsyetohet se spitali i Shtipit dhe i Kërçovës nuk janë lënë në harresë, por po negociohet me një shtet evropian për ndërtimin e këtyre objekteve që siç tha, beson që shumë shpejtë do të arrihet një marrëveshje. Përveç këtyre spitaleve duhet të ndërtohet edhe Fakulteti i Mjekësisë në Shtip dhe një ndërtesë në spitalin e Tetovës.
Këto spitale kanë më shumë se 30 vite që ndërtohen e asesi të përfundojnë, pasi dokumentet e tyre fatkeqësisht kanë mbetur nëpër sirtarët e administratave dhe ministrive të ndryshme.
Për të pasur një sistem të mirëfilltë shëndetësor, shteti duhet të investojë sa më shpejtë në një klinikë moderne universitare me qendër në Shkup, ndërsa duhet t’i mirëmbajë edhe spitalet rajonale në Shtip, Tetovë dhe në rajonin e jugut të shtetit.
Klinika qendrore në Shkup duhet të ndërtohet sipas standardeve dhe nevojave më bashkëkohore dhe që do të shërbejë për sfidat në 50 vitet e ardhshme, sepse klinikën aktuale e kemi ende nga ish-Jugosllavia. Pas gati 35 vitesh shtet i pavarur, ne ende s’kemi një spital të duhur. Jemi mësuar vetëm me arnime e me donacione nga jashtë, çdoherë vetëm duke lypur.
Është shumë e vërtetë se kjo klinikë kërkon shumë mjete financiare, por shteti duhet t’i sigurojë këto mjete, qoftë me kredi të butë siç ishte kredia hungareze, qoftë me para nga buxheti ose qoftë edhe me një investim publiko-privat. Kur ka vullnet, format e investimit gjenden lehtë. Por, ama qeveria duhet ta vendosë interesin e qytetarëve në rend të parë.
BURIMI: zhurnal.mk