EDITORIAL/ Pse akademikëve maqedonas u pengon udhëheqja e shtetit nga shqiptarët !?

November 22, 2022
min lexim

Shkup, 22 nëntor – “Intelektualët” maqedonas që gjoja ishin të moderuar dhe ishin pro integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe të cilët rrihnin gjoks për një shoqëri të barabartë për të gjithë, sërish kanë nxjerrë në pah fytyrën e tyre të vërtetë, urrejtjen ndaj shqiptarëve. Profesoreshës së juridikut Mirjana Najçevska, pse kaq shumë i pengojnë shqiptarët!

 

Najçevska duke akuzuar Kovaçevskin, i nënçmoi shqiptarët!

Profesoresha e juridikut Mirjana Najçevska ka dalë me një status të saj që edhe njëherë vjell vrer kundër shqiptarëve. Ajo njëherësh ka akuzuar kryeministrin Kovaçevski se përse kërkon t’i bashkojë partitë etnike shqiptare, duke shtruar pyetje retorike nëse nuk ka mjaftueshëm shqiptarë nëpër pozitat udhëheqëse? Ose kërkon që shqiptarët të jenë më kompakt, ose sepse ata udhëheqin zhvillimin demokratik, ose sepse ata janë më pak të korruptuar se maqedonasit, ose sepse kjo është mënyra e vetme për të qëndruar në qeveri?

Najçevska ka pyetur Kovaçevskin gjithashtu se përse kërkon të shtojë numrin e shqiptarëve në qeveri, duke e viktimizuar sundimin e së drejtës, profesionalizimin e aparatit shtetëror, pavarësinë e gjyqësorit, vetëm e vetëm që të ketë shumicë në Kuvend?

Najçevska konstaton se aktualisht nuk dënohen aspak shqiptarët të cilët kanë qenë në qeveri ose që janë të afërt me lidershipin e partive shqiptare në qeveri, duke shtuar se nuk mund të imagjinojë liri më të madhe për kriminalitet se që e kanë drejtuesit e partive shqiptare. “Ndoshta kam vetëm fantazi të dobët”, ka shkruar në statusin e saj Najçevska.

Pse kaq shumë i pengojnë shqiptarët Najçevskës!

Mirjana Najçevska është profesoreshë e drejtësisë, e cila gjithë jetën e saj ka luftuar për të drejtat e njeriut, mirëpo sipas saj dhe statuseve të vazhdueshme, drejtësia duhet të jetë vetëm për maqedonasit dhe jo për të tjerët.

Ky lloj i “intelektualëve” të frustruar e që kanë qenë pjellë e sistemit komunist, e të përkëdhelurit e Beogradit, gjithmonë janë shitur të moderuar, intelektualë, që janë pro perëndimit, e kështu me radhë, por gjithmonë kur ka ardhur puna që shqiptarët të kenë të drejtat e tyre, ata kanë nxjerrë kokën në skenë.

Në gojën e tyre gjithmonë flitet për bashkëjetesë, se Maqedonia e Veriut është një shtet ku respektohen të drejtat e të gjithëve, por në fakt ata bashkëjetesën e shohin, me shqiptarët që do të jenë në kategorinë e dytë a të tretë.

Për llojin e Najçevskës (ka shumë të tjerë si ajo), shqiptarët duhet të jenë argat të maqedonasve, shqiptarët duhet të jenë ata që do iu blejnë byrek maqedonasve në administratë dhe jo ata që mund të udhëheqin shtetin.

Dhe, ky shfrenim i intelektualëve të tipit të saj, shkon deri në urrejtje ndaj shqiptarëve, duke pyetur kryeministrin Kovaçevski se përse nuk i dënon shqiptarët!

Najçevska e soji i saj të kthjellen se komunizmi e Jugosllavia kanë vdekur moti kohë

Çmenduria e kësaj “intelektuale” shkon deri në atë pikë sa nga vetë retorika e pyetjeve që i parashtron, tregon se çfarë mendon për shqiptarët.

Ajo pyet se përse shqiptarët nuk dënohen dhe se janë të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë. Najçevska harron se burgjet janë të mbushura me shqiptarë, ndërsa kjo zonjë asnjëherë nuk doli e të kërkojë drejtësi për Monstrën, për Sopotin, për rastin “Alfa” për vrasjen e katër vjeçarit Almir Aliu e për shumë raste të tjera, ku të burgosur të pafajshëm mbahen ende nëpër burgje, pas asnjë dëshmi për veprat me të cilat ngarkohen.

Është pa fije turpi konstatimi se liderët politik shqiptarë paskan liri për të bërë kriminalitet dhe se nuk janë të paprekshëm. Najçevska duhet të kuptojë se çdokush është dhe duhet të jetë i barabartë para ligjit.

Për cilin sistem të sundimit të së drejtës flet Najçevska dhe për cilën pavarësi të gjykatësve flet Najçevska, kur në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian, sistemi i drejtësisë është më i korruptuari në vend dhe më i shkatërruari. Ky sistem drejtësie që i la të dergjen nëpër burgje shqiptarët e pafajshëm dhe që ende nuk arrin të dënojë asnjë nga ata që vodhën miliona para të popullit, që ikën nëpër bagazhet e veturave, e që kanë ndërtuar pallatet më të larta në qendër të Shkupit dhe kanë zaptuar të gjitha pronat publike. Për cilin sistem të drejtësisë flet Najçevska kur elita e politike maqedonase e shkatërroi këtë shtet në emër të privatizimit dhe vodhi e përvetësoi të gjitha fabrikat, kombinatet, bankat, qendrat sportive, tokat e gjithçka që ishte e mirë materiale e të gjithëve.

Cili lider politik maqedonas e shijoi burgun pas gjithë këtyre krimeve që nuk i fal hisotria!

A i pengon Najçevskës zhvillimi demokratik i shqiptarëve! Po përse shqiptarët nuk paskan hise që ta zhvillojnë demokracinë dhe ta çojnë përpara këtë zhvillim. Najçevska duhet të kuptojë se vetëm falë shqiptarëve ky shtet arriti të mbrojë këta kufi që i ka. Vetëm falë shqiptarëve nuk iu cënua kurr sovraniteti, kultura, gjuha e feja këtyre maqedonasve.

Andaj, urrejtja dhe dëshira për ta parë keq tjetrin vetëm se të nxjerr fytyrën e vërtetë ku ndodhen ky lloj i njerëzve që veten e quajnë “intelektualë”. Deshi ose nuk deshi soji i Najçevskës, Maqedonia e Veriut do të rrojë bashkë me shqiptarët, e sa do të shkojë përpara ky shtet, varet se sa më shpejt do të humbet egoja dhe urrejtja ndaj shqiptarëve.

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​OBSh: Miliona jetë nën kërcënim në Ukrainë këtë dimër

Story i radhës

Ambasada e Gjermanisë në Shkup me njoftim në lidhje me terminet

Të fundit nga

ShkoLartë