Shkup, 11 nëntor – Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të hënën në Shkup do të mbajnë mbledhje të përbashkët qeveritare. Dy qeveritë do të mblidhen pas pesë viteve dhe ky është një hap i nevojshëm në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy shteteve fqinje. Më e rëndësishmja është që Marrëveshjet të cilat pritet të nënshkruhen duhet edhe të zbatohen dhe mos të ngelin vetëm në letër, siç ndodhë vazhdimisht.
18 marrëveshje mes Shkupit dhe Tiranës
Pesë vite nga mbledhje e parë, dy qeveritë, ajo e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të ulen në të njëjtën tryezë të hënën e 14 nëntorit, kësaj radhe në godinën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup. Edhe pse pak info janë publikuar nga shërbimi qeveritar, “Zhurnal” mëson se midis dy vendeve do të nënshkruhen gjithsej 18 marrëveshje.
Në prezencë të dy kryeministrave, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, në mesin e marrëveshjeve të shumta pritet të nënshkruhet edhe Marrveshje për Portin e Thatë në Strugë për të shfrytëzuar Portin e Durrësit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ky port është i dizajnuar ngjashëm me Portin e Thatë të Prishtinës. Porti i Thatë i Strugës do të shërbejë për tregti regjionale nga ku mallrat do të shkojnë edhe në vendet e Rajonit.
Një tjetër Marrëveshje e rëndësishme është ndërtimi i autostradës në Korridorin 8, në të cilin aktualisht po punohet dhe do të punohet në të ardhmen edhe më shumë nga kompania Bektel-Enka, e cila kishte ndërtuar rrugën e kombit në Shqipëri dhe rrugën që lidh Prishtinën me Tiranën. Në këtë segment rrugor aktualisht autostradë e mirëfilltë është rruga Shkup – Tetovë, ndërsa rruga Tetovë – Gostivar pritet që të zgjerohet. Gjithashtu rruga Kërçovë – Ohër është duke u ndërtuar nga kompania kineze, por që ka vonesa të shumta dhe dështime në disa segmente. Më e rëndësishme dhe më e vështirë është rruga, Gostivar – Kërçovë, e cila duhet të kalojë në pjesën malore të kësaj ane. Dhe në fund duhet urgjentisht të ndërtohet edhe rruga Strugë – Qafë e Thanës, në kufirin me Shqipërinë, e cila është tepër e dëmtuar.
Një Marrëveshje tjetër që pritet të nënshkruhet është edhe ajo për “one stop shop” në kufi, pra një kontroll të përbashkët të kufirit mes dy vendeve. Këtë gjë Maqedonia e Veriut është duke e aplikuar me Serbinë, ndërsa Shqipëria ka një përvojë të tillë me Malin e Zi dhe me Kosovën.
Ballkani i Hapur, Procesi i Berlinit dhe Marrëveshjet bilaterale
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria pak ditë më parë në kuadër të Procesit të Berlinit kanë nënshkruan tre marrëveshje, të cilat përfshijnë Marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve vetëm me letërnjoftime, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e profesioneve të lira. Marrëveshje të ngjashme kishin nënshkruar tre vendet gjatë Samiti të Ballkanit të Hapur dhe kjo duket se është nevoja e parë emergjente e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, t’i lejojnë qytetarët të lëvizin gjithandej nëpër këto shtete pa pasur nevojë për pengesa shtesë.
Ballkani i Hapur është iniciativë e tre vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, me ftesë të hapur për të marrë pjesë edhe tre vende të tjera të BP, por që numri i këtyre Marrëveshjeve të jetë gjithëpërfshirës, nevojitet që ky proces të lehtësohet dhe të ndihmohet nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të rajonit, prandaj kjo shtytje po bëhet nga ana e të ashtuquajturit Proces i Berlinit. Maqedonia e Veriut është pjesë në të dyja iniciativat dhe konsideron se njëra tjetrën e plotësojnë dhe në asnjë mënyrë nuk e përjashtojnë.
Edhe Marrëveshjet bilaterale duket se janë në frymën e bashkëpunimit intensiv në infrastrukturë, lëvizje të lirë dhe ballafaqim i përbashkët me sfidat.
Marrëveshjet të mos mbesin vetëm në letër!
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë vizionin e përbashkët për një rajon të integruar në BE dhe NATO. Së fundmi dy vendet kanë filluar negociatat për anëtarësim në BE, dhe aktualisht dy vendet janë me më shumë marrëveshje bashkëpunimi në rajon, por që deri tani, pothuajse asnjëra prej tyre, nuk është respektuar dhe zbatuar.
Në seancën e parë ndërqeveritare të mbajtur në vitin 2017 të dy palët nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi për infrastrukturë, ekonomi, siguri, kulturë dhe arsim. Atë kohë, kryeministri Edi Rama kërkoi nga pala e Maqedonisë së Veriut që të analizojë mundësinë e vazhdimit të aksit rrugor Bllatë – Shkup, për të kompletuar edhe matanë kufirit atë që njihet si Rruga e Arbrit. Duke vendosur theksin në vullnetin e Zaevit për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike, Rama kërkoi miratim të Ligjit të gjuhëve, si përmbyllje të Marrëveshjes së Ohrit.
Ministritë e Kulturës të të dyja vendeve përkatëse, u angazhuan për shqyrtimin e mundësisë që objekti i Kongresit të Manastirit, të njihet si objekt i përbashkët i trashëgimisë kulturore.
Ndër projektet e përbashkëta të dy vendeve, u theksua ndërtimi i hekurudhës Kërçovë-Lin dhe projektin në fushën e energjetikës Manastir – Elbasan.
Edhe pse nuk ka informacione se cilat projekte të tjera pritet të nënshkruhen, dy qeveritë duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi realizimit të këtyre projekteve me qëllim që ato të mos mbeten vetëm në letër. E një projekt shumë i rëndësishëm që duhet të shqyrtohet mes dy vendeve është edhe përdorimi në Maqedoninë e Veriut të abetares së përbashkët të shqiptarëve që ka filluar të përdoret në Shqipëri dhe Kosovë.
E parë në përgjithësi, mbledhja e përbashkët midis qeverive është një hap drejt avancimit dhe përforcimit të të dy shteteve, por dy qeveritë duhet të insistojnë që çdo Marrëveshje që nënshkruhet të realizohet, sepse është në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.
Burimi: zhurnal.mk