Shkup, 23 nëntor – Burgjet në Maqedoninë e Veriut në vend se të jenë institucione për korrigjim të sjelljeve të atyre që kanë bërë vepra penale, fatkeqësisht janë kthyer në qendra të dyta të bizneseve të paligjshme. Nëse një person është i kapur me drogë ose me çfarëdo vepre tjetër të paligjshme, ai pasi futet në burg rehatohet mirë dhe vazhdon biznesin sikur më parë. Kësaj radhe me telefon celular, me ushqime nga më të mirat brenda në burg, bilës edhe duke pasur drogë brenda qelive. Padyshim, se përgjegjës për këtë dukuri janë drejtuesit e burgut dhe vetë gardianët, që zakonisht bëjnë biznes me të burgosurit!
Në Shtip gjendet drogë brenda qelive të burgut
Policia e Shtipit ka njoftuar ditë më parë se në Burgun e Shtipit është raportuar se te një i dënuar 37-vjeçar është gjetur marihuana. Policia saktëson se është raportuar se në korridorin e njërit prej reparteve është gjetur një lëndë pluhuri. Punonjësit policorë të Departamentit për Trafikim të Paligjshëm të Drogave dhe Armëve kanë kryer kontroll, ndërsa droga është konfiskuar për procedurë të mëtutjeshme. Pas zbardhjes së plotë të rastit do të dorëzohet parashtresa përkatëse”, njofton MPB-ja.
Ky njoftim i policisë ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen se çfarë po ndodh në burgjet e Maqedonisë së Veriut, sa janë të sigurtë njerëzit që mbahen aty brenda dhe a vazhdon të lulëzoj biznesi edhe brenda burgjeve.
Kushte të mjerueshme në burgjet e Maqedonisë së Veriut
Në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian për situatën në burgje të Maqedonisë së Veriut thuhet se brenda burgjeve ka korrupsion dhe kushte të mjerueshme. Mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve në Maqedoninë e Veriut mbeten sistemi i keq i menaxhimit dhe punës së punonjësve, mungesë e stafit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor për të dënuarit, dhunë mes personave të dënuar, kushte të mjera materiale, mungesë e aktiviteteve të dedikuara dhe korrupsion endemik, thuhet mes tjerash në Raportin e fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut nga ana e Komisionit Evropian.
KE thekson se ka Strategji për zhvillimin e sistemit ndëshkues-përmirësues 2021-2025, por thekson se zbatimi i plotë i saj kërkon fonde, staf shtesë dhe angazhim politik. KE vëren se është formuar një grup ndërdikasterial për të monitoruar dhe vlerësuar zbatimin e Strategjisë.
Një shqetësim shtesë i vënë në dukje nga KE është mbipopullimi i burgjeve. Sipas të dhënave të marsit të vitit 2022, bëhet fjalë për 2.462 persona të dënuar dhe të paraburgosur. Prioritet duhet të jetë renovimi i objektit më të lënë pas dore në Idrizovë, sipas rekomandimeve të Komitetit Evropian për parandalimin e torturës, ndërsa për profesionalizmin dhe menaxhimin e burgjeve nevojitet emërimi i drejtorëve, duke përfshirë edhe ata që janë ushtrues detyre, të jetë kryesisht në bazë të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve nga viti 2019.
Është ende problem mungesa e kujdesit shëndetësor dhe masave adekuate për trajtimin e varësisë nga droga në burgje, i cili mbetet një shqetësim serioz dhe diçka që duhet ta trajtojë Ministria e Shëndetësisë.
Korrupsioni është bërë dukuri e zakonshme nëpër burgje
Korrupsioni në burgje vihet re si një problem, i cili përsëritet vazhdimisht, e të cilit në raportin e fundit të KE-së iu dha epiteti “endemik”. Është e nevojshme që të vazhdojnë kontrollet e rregullta në burgje. Në dokumentin e KE-së përmendet se një plan vjetor për të luftuar korrupsionin është miratuar në shkurt të këtij viti dhe duhet të zbatohet.
Fatkeqësisht korrupsioni në burgje nuk mund të ndodhë pa ndihmën e drejtuesve të burgjeve dhe gardianëve. Gardianët i trajtojnë të burgosurit kundrejt pagesave të ndryshme që marrin nga të burgosurit për t’i akomoduar në ambiente më të mira, iu lejojnë të hanë ushqim më të mirë, iu lejojnë të fusin celularë nëpër qelitë e tyre, e shumë shpesh iu lejojnë që të fusin edhe drogë dhe mjete tjera të nevojshme në burg.
Të burgosurit pohojnë se nëse iu jepet ajo që kërkojnë gardianët (me përjashtime të pakta), atëherë ata sillen sikur të jenë rrugaçë në mënyrë më katastrofale. Kanë maltretime psikike të vazhdueshme, sulme fizike, nënçmim, përbuzje, fyerje etj.
Në vitin 2021, mekanizmi i kontrollit civil të Avokatit të Popullit ka vepruar në tetë ankesave, dy kundër punonjësve të policisë dhe gjashtë për pjesëtarë të policisë së burgjeve. Aktualisht ka paraqitje në një kërkesë në Prokurorinë publike për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë penale, ndaj dhjetë kërkesave të ngjashme në vitin 2020, por ende ska asnjë epilog dhe asnjë polic ose gardian nuk është dënuar.
Ndalja e kontrabandës dhe korrupsionit nëpër burgje dhe qendrat e paraburgimit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbesin sfidë tashmë edhe pas 30 viteve pavarësi. Kjo lloj kontrabande, ka kaluar në dukuri nëpër të gjitha qendrat dhe duhet të gjendet zgjidhje.
Kryesisht nëpër burgje problem që ende nuk ka zgjidhje është futja ilegale e telefonave mobilë si dhe e substancave narkotike.
Maqedonia e Veriut duhet të punojë urgjentisht për çështjen që po vazhdon vazhdimisht të ketë ankesa, e sidomos për kushtet joadekuate të paraburgimit në burgje, stacione policore, si dhe në institucionet e kujdesit social dhe psikiatrikë. Sidomos duhet të ndërpritet në mënyrë sa më urgjente korrupsioni nëpër burgje dhe trajtimi i të burgosurve të jetë human në suaza të kritereve të lejuara.
Burimi: zhurnal.mk