Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë paraqitje në televizionin britanik Channel 4, ku ka thënë se populli ka keqkuptuar projektin e shumëpërfolur të Nartës, kundër të cilit filloi protesta masive në Tiranë.
“Nuk do të jetë ajo që njerëzit imagjinojnë, dhe gabojnë që e imagjinojnë ashtu”, potencoi Rama.
Gazetarja e Channel 4 ndërhyri duke thënë se nuk ka të bëjë me imagjinatën por për atë që Jared Kushner ka publikuar në Instagram, ndërsa theksoi se ato nuk janë planet përfundimtare. Edi Rama u arsyetua se ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një paraqitje paraprake.
“Projekti ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të nivelit të lartë. Ky do të jetë një nga projektet më të mahnitshme që do të realizohen në Evropë prej një kohe të gjatë. Nuk kanë ndodhur shumë gjëra të mahnitshme në Evropë kohët e fundit”, vazhdon ai.
Sipas Ramës, projekti është i mahnitshëm sepse nuk do të jetë ajo që njerëzit imagjinojnë. “Projekti nuk synon të shkatërrojë një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë”.
Në intervistë u ngrit edhe shqetësimi i Komisionit Evropian lidhur me projektin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ideja që mund të shkojmë në një drejtim me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde. Pra, vetëm po flas për projektin: qetësohuni dhe flisni me fakte”, mbaron Rama.
Burimi: botasot.info


