Mungesa e arsimtarëve dhe cilësia e mësimdhënies, janë sfidat më të mëdha që po përballet arsimi parauniversitar në Shqipëri.
Në mënyrë që cilësia e mësimdhënies të rritet, qeveria shqiptare do të nisë Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.
Me këtë po synohet që gjatë 2024-tës, 4 mijë mësues të arsimit fillor dhe mësues të lëndëve bazë, matematikës, gjuhës, si dhe teknologji informacioni të përfitojnë nga trajnimet që ofron ky program.
Në vitin 2025 do të trajnohen mbi 16 mijë mësues për metodat efektive të mësimdhënies.
“T’i japim mësuesve sa të mundemi. Ky është një moment që kërkon shumë zgjidhje”, tha kryeministri Edi Rama.
Gjatë prezantimit të këtij programi, kreu i qeverisë shqiptare pranoi vështirësinë që ka një vend si Shqipëria për t’u përballur me sfidën tjetër, atë të largimit të burimeve njerëzore dhe në arsim.
“Për të fuqizuar sa të mundemi cilësinë e kapitalit tonë njerëzor këtu në vendin tonë sepse përndryshe, në një kohë jo shumë të largët, mund të gjendemi përpara një situate të pamundur”, theksoi tutje Rama.
Sipas tij një nga qasjet që qeveria ka ndjekur për t’i motivuar për të qëndruar në Shqipëri është edhe rritja e pagave.
“Pagat së shpejti brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 Euro, por nuk mjafton dhe prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin. Të ketë nivele të ndryshme pagash”.
Sipas programit të ri, edhe për rritjen e pagave për mësuesit do të shërbejnë performanca, trajnimet, përveç eksperiencës.