Krahas nismave ligjore të ndërmarra për reformën në drejtësi, frytet e tyre nuk u panë as në vitin 2024. Njohës të drejtësisë vlerësojnë se sistemi i drejtësisë dështoi të reformohet dhe rezultate konkrete nuk u panë as në luftimin e korrupsionit, ndërsa sfidë mbetet mos emërimi i kryeprokurorit të shtetit.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala thotë për KosovaPress se Qeveria dështoi t’i bëjë reformat e premtuara në sistemin e drejtësisë.
Shala: Sistemi i drejtësisë nuk ka arritur të reformohet
“Është një sistem që përkundër nevojave, nuk ka arritur të reformohet nga ana e qeverisë, duke dështuar të ndërmarrë reformat kruciale që i nevojiten sistemit të drejtësisë duke dështuar ta miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsion dhe duke mos sjell progres në këtë fushë. Sa i përket të dy këshillave, përkundër problemeve që vazhdon të ketë, KGJK-ja nuk mund t’i mohohet fakti se ka një avancim në kuptim të transparencës, derisa kjo nuk qëndron për KPK-në që edhe atje vazhdon mendësia korporatiste siç e ka thënë Komisioni i Venecias dhe vazhdojnë probleme të shumta në sistemin prokurorial të Kosovës dhe mund të themi se ka ndërtuar një kulturë të mos ndëshkimit brenda sistemit prokurorial”, tha Shala.
Hulumtuesi i IKD-së e sheh problematik faktin që tash e dy vjet Kosova vazhdon të jetë pa kryeprokuror të shtetit. Sipas tij Kosova duke mos miratuar strategjinë kombëtare kundër korrupsion i kanë munguar rezultatet edhe në luftimin e kësaj dukurie negative.
Shala: Mos zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit mbetet problematike
“Në kuptim të luftës kundër korrupsion fatkeqësisht në kohën kur qeveria është duke e përfunduar mandatin e saj, ajo ende nuk e ka të miratuar një strategji kombëtare kundër korrupsionit… Derisa i përket strategjisë për sundimin e ligjit gjatë vitit 2024 kjo strategji ka qenë e pazbatuar për shkak të neglizhencës dhe dështimit të qeverisë që ta miratojë planin e veprimit… Kjo definitivisht është shumë problematike, mungesa e kreut të Prokurorit të Shtetit natyrisht se është problematike, por duhet theksuar se procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit të jetë një proces i drejtë, transparent dhe meritor”, thotë Shala.
Edhe Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, thotë se në vitin 2024 nuk u shënuan rezultate për reformën në sistemin e drejtësisë. Bunjaku nënvizon se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përgatisin aktakuza të dobëta e mos të shqiptojnë dënime meritore.
Bunjaku: 2024 kaloi pa rezultate në reformën për drejtësinë
“As në vitin 2024 nuk kemi parë rezultate në këtë aspekt. Kemi pasur më shumë dështime sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë, kur flasim për dështimet e kam fjalën për dështimet në miratimin të një pakoje që ka mirëpritur edhe qytetari… Nuk mund të themi që nuk kemi pasur shumë progres, por nuk kemi pasur as ulje, jemi në një mesatare te këto dy institucione, normalisht që lufta qëndron te profesionalizmi dhe praktika e këtyre institucioneve. Kur themi praktika, kemi të bëjmë me zbatimin e ligjeve në praktikë. Ne shpesh shohim që aktakuzat janë shumë të dobëta dhe gjyqësori shqipton dënime që nuk janë të duhura sidomos për veprat penale kundër korrupsionit. Mund të dënohen 1-3 vjet dhe ende nuk kemi parë një verdikt të tillë për asnjë zyrtar publik. Pra, shohim vetëm dënime me gjobë e të cilat nuk i kontribuojnë luftimit të korrupsionit në vend”, tha Bunjaku.
Bunjaku konsideron që Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe presidentja Vjosa Osmani kanë luajtur me pozitën e kryeprokurorit të shtetit, i cili nga 2022 është me ushtrues detyre.
Sistemi i drejtësisë në vend gjatë 2024 u karakterizua edhe me polemika në mes të institucioneve qeveritare me ato të drejtësisë. Komentimet e ekzekutivit karshi punës së prokurorive dhe gjykatave po konsiderohen për keqardhje dhe ndërhyrje në punën e tyre.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se deklaratat e tilla e kanë dëmtuar imazhin e institucioneve të drejtësisë.
Shala: Qeveria ka dëmtuar imazhin e drejtësisë në Kosovë
“Kjo është për keqardhje për shkak kryeministri dhe qeveritarët, ministrat janë marrë shumë me sistemin e drejtësisë. Edhe shumë rëndë edhe për qytetarin dhe imazhin e sistemit e drejtësisë. Për shkak se kur një kryeministër, deputet shumë shpesh thonë se është një sistem i kalbur, unë mendoj se shumë më i mirë është sistemi i drejtësisë sesa sistemi ekzekutiv apo legjislativ”, theksoi ai.
Përplasjet në mes të pushtetit qeveritar dhe atij të drejtësisë nuk janë aspak të hijshme për Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.
Bunjaku: Ndërhyrja e ekzekutivit në gjyqësor e papranueshme
“Ndërhyrjet e tilla kanë qenë të pritshme. Prej fillimit të mandatit të kësaj qeverisje kemi pasur përplasje prokurori, gjykatë dhe qeveri, gjë e cila nuk është aspak e hijshme në publik. Sidomos ndërhyrja e ekzekutivit në punët e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk është e pranueshme për shkak se të tria janë pushtete të pavarura… Këshilli Prokurorial dhe presidentja, në fakt, kanë luajtur që të dyja të këto institucione me këtë pozitë shumë të rëndësishme të vendit” ,thotë Bunjaku.
Se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është e mirë e pranon edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila thotë se qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim në institucionet e drejtësisë.
Haxhiu: Nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në sistemin e drejtësisë
“Mendoj që problemin më të madh e kemi te nivelet e larta të sistemeve të drejtësisë, të cilat nuk dëshirojnë ndryshim të gjendjes sepse humbin pushtetin dhe ndikimin në sistem. Pra, të njëjtit nuk e kanë dashur reformën në drejtësi dhe e kanë kundërshtuar në vazhdimësi. Mendoj se kjo qasje ka qenë e gabuar, ne asnjëherë nuk kemi ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht në lëndët që kanë pasur prokurorët dhe gjyqtarët. Nuk do të bëjmë diçka të tillë, sepse besoj që kemi mjaftueshëm shembuj të këqij që si qeveria nuk do të duhej të ndiqte, por t’i braktisim ata shembuj. Dhe ndërhyrje në drejtësi është cilësuar komentimet që ia kemi bërë vendimeve, qoftë nga ana e prokurorisë, qoftë nga ana e gjykata, kryesisht lidhet me krimin e organizuar, korrupsionin, dhunën në familje, krimet e luftës…Konsideroj se kjo nuk është ndërhyrje në drejtësi, ne vetëm shprehim brengën tonë”, tha ajo.
Raporti i EULEX-it për monitorimin e sistemit të drejtësisë gjatë 2024 ka treguar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk kanë shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin.
Në bazë të këtij raporti për institucionet drejtësisë sfidë mbetet edhe produktivitet i seancave, ndërsa, paraburgimi po vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar.
Ministria e Drejtësisë ka shtyrë përpara projektligje që realizojnë reformën në drejtësi. Derisa për procesin e vettingut përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi e nisi në tetor 2021 ku u miratua koncepti i dokumentit për vettingun. Më pas për këtë koncept-dokument u kërkua mendimi nga Komisioni i Venecias i cili fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori.
Pas hartimit të amendamenteve kushtetuese nga 40 deputetë të Kuvendit, kryeparlamentari Glauk Konjufca, në mars 2023 dërgoi amendamentet për vlerësim në Kushtetuese. Kjo e fundit në fund të dhjetorit të vitit të kaluar i hapi rrugë vettingut në drejtësi.
Burimi: botasot.info