Pas stuhisë së fuqishme që goditi dje Shkupin, ndër objektet që pësuan dëmet më të mëdha është edhe Qendra Sportive “Boris Trajkovski”.
Menaxhmenti i qendrës sportive njoftoi sot urgjentisht opinionin se pishina ka pësuar dëme të mëdha materiale dhe se deri në një njoftim të ri do të jetë plotësisht jashtë funksionit.
“Për shkak të stuhisë që përfshiu Shkupin gjatë ditës së djeshme, është shkaktuar dëm i madh material në çatinë e pishinës dhe ajo nuk do të jetë në funksion. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, thuhet në njoftimin zyrtar drejtuar përdoruesve.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi mbrëmë se janë dëmtuar edhe disa objekte me rëndësi jetike, ndër to objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksi “Vila Vodno”, Baza Policore e Aeroportit në Petrovec, objekti i “Nova Makedonija”, si dhe ndërtesat e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.
Po ashtu, pasoja janë regjistruar edhe në Pikën Kufitare Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe në Qendrën Transitore Tabanoc.
Burimi: alfax.mk


