Sistemi TIMS prej disa orësh nuk funksionon as në Portin e Durrësit pas sulmit të ri kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.
Burime pranë Policisë së Kufirit dhe Migracionit, bëjnë me dije se procesi i imbarkimit në dy tragetet që do të lundrojnë mbrëmjen e sotme drejt Barit po bëhet me regjistra manualë.
Në funksion të pasagjerëve dhe mjeteve të tyre janë 26 sportele, me qëllim shmangien e radhëve në përpunim.
Mbrëmjen e kaluar, si pasojë e shkëputjes së energjisë elektrike, nuk ishte kuptuar bllokimi dhe ndërhyrja në sistemin TIMS, dhe që prej mbrëmjes së kaluar po punohet me regjistra manualë.
Deri më tani, nuk raportohen radhë dhe problematike si pasojë e situatës së krijuar.
Ndryshe, sanksionet e vendosura një ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit për sulmin kibernetik gjatë muajit korrik, nuk i kanë zmbrapsur hakerët e sponsorizuar nga Republika Islamike, për të vijuar sulmet kundër Shqipërisë.
Gjatë natës u raportua fillimisht se ishte bllokuar puna në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, ku kalimi i personave po regjistrohej në blloqe me shkrim dore nga ana e punonjësve. Që Irani ishte përgjegjës për këtë sulm e konfirmoi vetë kryeministri Edi Rama.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, tha Rama në Twitter.
Nga sulmi iranian u bllokua edhe puna në portin e Vlorës, ku qindra udhëtarë nuk kanë mundur të largohen nga vendi me tragete.