Të martën e 29 nëntorit në kuadër të Kampionatit Botëror “Katar 2022” do të zhvillohet ndeshja mes Iranit dhe Amerikës.
Kjo përballje risjell kujtimet e Botërorit të vitit 1998 që u zhvillua në Francë, ku kishte skena vëllazërore mes lojtarëve të këtyre dy shteteve që politikisht janë rivale, përcjell KosovaPress.
Ka momente të shumta ku gjeopolitika u përfshi në fushë gjatë një Kupe të Botës, ndërsa më poshtë i gjeni disa nga ato.
Botërori 1938: Italia kundër Francës
Në një kontekst shumë të tensionuar gjeopolitik, me hijen e fashizmit mbi Evropën, Franca po priste Botërorin e tretë në histori. Më 12 qershor përballet me Italinë në çerekfinale në stadiumin ”Colombes”, ndeshje kjo në të cilën Italia fitoi 3:1.
Italianët veshën një fanellë të zezë, të ngjashme me atë të policëve të regjimit të Musolinit dhe bëjnë një përshëndetje fashiste për 60,000 spektatorët e pranishëm. Publiku përgjigjet duke fishkëllyer fuqishëm himnin italian.
Italianët e vazhduan deri në fund Kupën e Botës dhe e fituan titullin e dytë me radhë të kësaj gare.
Botërori 1974: Republika Federale e Gjermanisë kundër Republikës Demokratike të Gjermanisë
Republika Federale e Gjermanisë (RFGJ) dhe Republika Demokratike e Gjermanisë (RDGJ), të cilat ishin motra armike, u përballën më 22 qershor në Hamburg, në stadiumin “Wolksparkstadion”.
Në mes të Luftës së Ftohtë, kjo përballje bëri të qarta tensionet mes dy vendeve, por që më pas të dyja filluan një proces normalizimi dhe nënshkruan një traktat të njohjes reciproke në vitin 1972.
Ndeshja e cila cilësohej e rrezikshme më në fund kaloi pa pengesa, ku RDGJ fitoi ndeshjen falë golit të Jugen Sparwasser, i cili mbahet në mend si ai që i dha fitoren e Bllokut Lindor, por që në fund RFGJ fitoi Kupën e dytë të Botës.
Botërori 1986: Argjentina kundër Anglisë
Argjentina dhe Anglia përballen më 22 qershor në çerekfinale në Mexico City, katër vite pas Luftës së ishujve Falklands, e cila la të vdekur 649 argjentinas dhe 255 britanikë. Atmosfera ishte shumë e tensionuar mes këtyre dy skuadrave, vendet e të cilave nuk kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 1982.
Në prag të çerekfinales, pati përplasje mes ultrasve nga të dyja palët, duke shkaktuar disa dhjetëra lëndime të lehta apo të rënda.
Argjentina e fitoi ndeshjen, kryesisht falë Diego Maradonës, autor i dy golave legjendarë – “dora e Zotit” dhe më pas “goli i shekullit”.
Maradona e pranoi se “ishte një finale për ne. Nuk ishte për të fituar një ndeshje, ishte për të eliminuar anglezët”.
Botërori 1998: Irani kundër Amerikës
Me pjesëmarrjen e dytë në një Botëror, Irani u pozicionua në vitin 1998 në një grup me Amerikën, armiken e betuar të tij.
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë prishur që nga marrja peng e ambasadës amerikane në Teheran, e cila pasoi Revolucionin Iranian të vitit 1979. Kjo ndeshje e luajtur më 21 qershor në Lion, paraqiti një mundësi për paqe.
Pas himneve, futbollistët amerikanë shtrëngojnë duart me kundërshtarët e tyre duke u ofruar flamurë. Secili prej tyre merr në këmbim një buqetë me trëndafila të bardhë.
Lojtarët nga të dyja skuadrat më pas bashkohen për të bërë një foto krah për krah. Iranianët fitojnë 2:1 duke regjistruar fitoren e tyre të parë në Kupën e Botës.
Botërori 2018: Zvicra kundër Serbisë
Më 22 qershor në Kaliningrad, Serbia përballet me Zvicrën, e cila ka disa lojtarë me origjinë kosovare.
Dhjetë vjet pas një konflikti që ishte lufta e fundit që çoi në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Ajo nuk njihet nga Serbia dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë të tendosura.
Granit Xhaka, i lindur në Zvicër, nga një familje kosovare, dhe Xherdan Shaqiri, i lindur në Kosovë, shënuan nga një gol duke bërë që Zvicra të fitonte ndaj Serbisë 2:1.
Dy lojtarët festojnë golat e tyre duke imituar me të dyja duart shqiponjën e flamurit shqiptar, gjest ky i mbështetjes për Kosovën. /ATSH/