“ECOWAS-i gati të ndërhyjë ushtarakisht në Niger nëse mjetet e tjera dështojnë”

August 17, 2023
1 minut lexim

 Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) është i gatshëm të ndërhyjë ushtarakisht në Niger pas grushtit të shtetit, nëse mjetet diplomatike për të rivendosur rendin kushtetues dështojnë, tha një zyrtar sot, raporton Anadolu.

“Askush të mos ketë dyshime se nëse gjithçka tjetër dështon, forcat e ndryshme të Afrikës Perëndimore – si komponenti ushtarak, ashtu edhe ai civil – janë gati t’i përgjigjen thirrjes së detyrës”, tha komisari i ECOWAS-it për Çështjet Politike, Paqe dhe Siguri, Abdel- Fatau Musah, në një takim të shefave ushtarakë rajonalë në Akra të Ganës.

Ai tha se administrata ushtarake në Niger ka thënë se është gati për bisedime, por ende po kërkon arsye për të justifikuar grushtin e shtetit të pajustifikueshëm.

Takimi vjen një javë pasi liderët e bllokut të Afrikës Perëndimore u takuan në kryeqytetin nigerian Abuja dhe urdhëruan aktivizimin e një force gatishmërie për të ndërhyrë në Niger për të rivendosur presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum.

Blloku rajonal prej 15 vendesh ka thënë se do të vazhdojë të hulumtojë qasjen diplomatike për të bindur administratën ushtarake të ndryshojë masat e saj dhe se ndërhyrja do të ishte alternativa e fundit.

Blloku gjithashtu vendosi t’i vazhdojë sanksionet kundër Nigerit derisa Bazoum të rivendoset. SHBA-ja, Franca dhe shumica e vendeve afrikane kanë shprehur mbështetje për përpjekjet e ECOWAS-it në zgjidhjen e krizës.

Bazoum u rrëzua më 26 korrik në një ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga gjenerali Abdourahamane Tchiani, ish-komandant i gardës presidenciale të Nigerit, dhe që atëherë është mbajtur peng në pallatin presidencial në kryeqytetin Niamey.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mbi 2.100 persona kaluan Kanalin Anglez në 7 ditët e fundit

Story i radhës

Ballkani triumfon edhe në Gjibraltar, kualifikohet në play – off

Të fundit nga

ShkoLartë