e zeshmja dhe imitatorja doarsa kica xhelili a po i humbe pike politike ldk se 67e2b21b7cddd

“E zëshmja dhe imitatorja Doarsa Kica- Xhelili”, a po i humbë pikë politike LDK-së?

March 25, 2025
min lexim

Fillimisht me rezultat jo të kënaqshëm në zgjedhje, pastaj me “skandalin” e numërimit të votave dhe vjedhjet brenda partisë, ndërsa tani me mos përputhje mendimesh rreth “menaxhimit” pas zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon ta marrë vëmendjen e opinionit publik.

Gjersa, brenda partisë nuk po gjejnë një mendim të përbashkët, nga kjo parti vazhdojnë të ripërsërisin qëndrimin e tyre kundër një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica- Xhelili, ditë më parë në një emision televiziv ka deklaruar se partia e tyre nuk do të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje edhe nëse i jepet pozita e kryeministrit apo gjithë ministritë.

Geci: Renditja e kandidatëve dëmtoi LDK-në

Halil Geci, analist politik thotë se Kica- Xhelili ka dëmtuar dhe po vazhdon ta dëmtojë LDK-në.

Image

Halil Geci

Sipas tij, ardhja e saj nga lista “Guxo” dhe vendosja në krye të listës për deputetë, duke anashkaluar kontribuues me dekada në LDK, si Anton Quni e shumë figura të tjera e ka dëmtuar LDK-në.

Doarsa Kica-Xhelili është një politikane e cila iu bashkua skenës politike përmes rrugëve që ajo i di më së miri. Fillimisht, ajo u bë pjesë e politikës përmes listës “Guxo”, duke iu afruar Vjosa Osmanit, gjë që e ndihmoi të bëhet e njohur në skenën publike. Më vonë, ajo kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dhe ka dyshime se kjo lëvizje mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje me Vjosa Osmanin—me idenë që ajo të mbështeste Lumir Abdixhikun, ndërsa Osmani të rikthehej më vonë në parti pas përfundimit të mandatit të saj. Për mendimin tim, Kica-Xhelili ka dëmtuar dhe po vazhdon të dëmtojë LDK-në, pasi ka ardhur në parti pa pasur një histori të gjatë kontributi. Lumir Abdixhiku e vendosi atë në krye të listës për deputete, duke anashkaluar kontribuues me dekada në LDK, si Anton Çuni dhe shumë figura të tjera me histori të gjatë në parti. Kjo tregon një qasje që ka lënë jashtë shumë gra dhe burra që kanë dhënë për LDK-në ndër vite, vetëm që Abdixhiku ta mbante afër një figurë të re si Kica-Xhelili. Votuesit duhet ta kuptojnë se kushdo që një parti e rendit në krye të listës do të merrte vota të larta, ndoshta edhe më shumë se Kica-Xhelili. Prandaj, besoj fort se ajo më shumë e ka dëmtuar LDK-në sesa që e ka ndihmuar në rritjen e saj”, shprehet Geci.

Doarsa Kica- Xhelili ka qenë ndër më të zëshmet për ta kundërshtuar një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje,

Sipas saj, ata kanë një hendek të thellë me VV-në dhe LDK nuk hyn në qeveri që nuk e udhëheq LDK-ja.

Në fushatë ishim kristal të qartë! Janë tre gjëra që i kemi përsëritur vazhdimisht:

Kemi hendek të thellë me VV-në; 2. LDK-ja nuk hyn në qeveri të cilën nuk e udhëheq LDK-ja (Lumir Abdixhiku); 3. Nuk jemi parti “bllok opozitare”. Jemi LDK-ja. Si e tillë, nuk jemi grup me të tjerët. Nuk formojmë qeveri jostabile veç për hir të pushtetit. Mbi këto premisa, ne u votuam! Votuesi ynë, na dha besimin mbi këto qëndrime! Votuesi ynë, si para, njësoj pas zgjedhjeve – e gjen LDK-ja të pandryshueshme në premtimet e saj. Nëse ky vend sot na do në opozitë, si parti të tretë, aty do të na ketë!”, ka shkruar Kica- Xhelili në një shkrim javën që e lëmë pas.

Ndëshkimi i LDK-së

Në anën tjetër, Geci kërkon që LDK të “kufizojë paraqitjen publike të Kica- Xhelilit”.

Në politikë, interesat dhe kalkulimet janë gjithmonë të pranishme. Për këtë arsye, mendoj se LDK duhet të marrë në konsideratë kufizimin e paraqitjeve publike të Kica-Xhelilit në emër të partisë. Nëse ajo vazhdon të jetë zëri i LDK-së në media, kjo mund të shkaktojë pakënaqësi tek votuesit e partisë, sidomos tek ata me rrënjë rugoviste dhe kontribuuesit 30-vjeçarë të saj. Nëse kjo situatë vazhdon, në zgjedhjet e ardhshme, votuesit tradicionalë të LDK-së mund ta ndëshkojnë partinë me votën e tyre”, shprehet Geci.

Ai thotë se LDK “u ndëshkua” nga rugovistët e listës “Guxo”.

“Të gjithë ata që kanë dy kokrra mend dhe dy sy për të parë e dinë se LDK nuk u ndëshkua nga elektorati i Vetëvendosjes, por nga rugovistët e Listës Guxo. Aktivistë si Donika Gërvalla, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për LDK-në për tri dekada, u përjashtuan nga partia në mënyrë të padrejtë. Po ashtu, strukturat e kapura të LDK-së, që morën “kalanë nga brenda”, e trajtuan atë dhe shumë të tjerë në mënyrë të pahijshme, madje duke i ndaluar edhe hyrjen në Kuvendin e LDK-së. Me pak fjalë, LDK përzuri Donikën dhe Vjosa Osmanin, të cilat me vete morën një pjesë të madhe të rugovistëve, duke e lënë partinë në duart e Isa Mustafës. Sot, Vjosa Osmani ka një mbështetje popullore që pothuajse i barazohet të gjithë LDK-së. Nëse LDK dëshiron të rikthejë votuesit e saj, duhet të bashkëpunojë me Listën Guxo dhe Vetëvendosjen. Nëse refuzon këtë mundësi dhe mban inate grupore apo personale, atëherë e ka të qartë se është e humbur. LDK nuk duhet të bashkëpunojë me asnjë çmim me PDK-në dhe Listën Serbe, sepse kushdo që e bën këtë, do të ndëshkohet nga votuesit. Nëse LDK e ka vendosur të shmangë një koalicion me Vetëvendosjen, atëherë deputetët e saj, të cilët kanë marrë votën për të mbrojtur interesat e vendit, e jo për të kënaqur interesa të ngushta apo figura të caktuara, do të ndëshkohen në zgjedhjet e ardhshme”, shton Geci.

Doarsa Kica Xhelili e cila në listën për deputetë ishte e treta me numër rendor, në zgjedhjet e 9 shkurtit është deputetja më e votuar në LDK, pas Lumir Abdixhikut. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në numërimin e 92.73% të votave, ajo mori 44,738 vota, duke u renditur e dyta pas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili mori 109,202 vota.

Ajo në të kaluarën ishte në listën e Vjosa Osmanit, në listën “Guxo”, por në vitin 2020 ajo u largua nga ajo dhe iu bashkëngjit Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, në media qarkullojnë tanimë deklarime se Kica- Xhelili po imiton Vjosa Osmanin.

Analisti Halil Geci, thotë se në politikë të gjithë luftojnë për karrierë, gjersa “përshkruan” rrugëtimin e Vjosa Osmanit.

 “ Në politikë, të gjithë luftojnë për karrierë. Vjosa Osmani është një nga karrieristet më të spikatura në politikën kosovare. Rrugëtimi i saj është i njohur për të gjithë: ajo ka ditur gjithmonë të shfrytëzojë momentin për ta fituar publikun, ashtu siç ndodhi kur nuk i dha votën Hashim Thaçit për president. Në të njëjtën mënyrë, ajo iu afrua Fatmir Sejdiut dhe më pas e la pas. Vjosa Osmani iu afrua Isa Mustafës, dhe më pas e la pas, edhe pse Isa ishte një politikan me përvojë dhe mjeshtër i intrigave politike. Megjithatë, me Vjosën, lojërat e tij nuk funksionuan. Ajo i futi në një thes “kopilët politikë” të Isës dhe, bashkë me të, i largoi nga skena politike, duke e dërguar Isa Mustafën në pension politik. Më pas, Vjosa iu afrua Albin Kurtit, i cili e bëri presidente. Mirëpo, edhe ndaj tij ndryshoi qëndrim, dhe këtë herë nuk e la pas vetëm atë, por në një farë mënyre edhe vetveten. Megjithatë, ndikimi i saj nuk ishte aq i madh sa për ta dëmtuar seriozisht Kurtin. Sa di unë, Vjosa ua ktheu shpinën edhe rugovistëve të Listës Guxo, ashtu siç bëri më herët Doarsa Kica. Ajo u largua nga ata që i qëndruan pranë në momentet më të vështira, kur u përjashtua nga LDK-ja dhe kishte nevojë për mbështetje. Sot, Vjosa kërkon edhe një mandat si presidente, por nuk besoj se Vetëvendosja do t’i japë sërish votat për një mandat tjetër”, shprehet Geci.

Ai thotë se Doarsa Kica- Xhelili mundohet ta kopjojë Osmanin, por kapacitetet intelektuale dhe politike nuk janë në të njëjtin nivel.

 “Sa i përket Doarsa Kica-Xhelilit, natyrisht që ajo po mundohet ta kopjojë Osmanin. Megjithatë, kapacitetet e saj intelektuale dhe politike nuk duken të jenë në të njëjtin nivel. Ajo shpesh mbështetet në retorikë boshe, e cila sillet e pshtillet pa ndonjë përmbajtje të thellë. Kjo është arsyeja pse besueshmëria e saj te elektorati mund të jetë e kufizuar. Natyrisht, ajo ka të drejtë të synojë poste të larta, por mbetet për t’u parë se sa do të mund t’ia dalë dhe sa realisht do t’i besojë elektorati”, shton Geci.

Duhanaj: Na duhet modeli “grindavec”

Por, ndryshe mendon analisti Leon Duhanaj, i cili thotë se Doarsa Kica- Xhelilit i mungon pjekuria politike.

Image

Leon Duhanaj

Deputetja Doarsa Kica Xhelili, është sinonim i modelit të politikanit të preferuar kosovarë. Një politikane e zgjuar, e talentuar, por që akoma i mungon pjekuria politike të të qenë me e përmbajtur dhe me e matur në deklaratat publike. Natyrisht që nëse e kërkon një model mbi të cilin ta ndërtojë karrierën e saj politike dhe me sukses, do ta zgjedhë modelin e znj. Vjosa Osmani- Presidente e Kosovës, e cila të gjithë karrierën e saj e ka ndërtuar mbi polemika e akuza publike. Për mendimin tim, ky është edhe problemi thelbësor i shoqërisë kosovare. Ne jemi shoqëri e cila emancipimin politik, e ka në nivele tepër të ulëta. Tek ne nuk ka shumë rëndësi, çfarë është thënë, por nga kush është thënë, e aq me shumë nga çfarë pozicioni flet”, thotë Duhanaj.

Ai i sugjeron Kica- Xhelilit të bëhet më e urtë, më produktive në ide, sesa në polemizim.

 “Ne nuk dhurojmë hapësirë për mendje të urëta, por na duhet modeli grindavec, për të qenë edhe të suksesshëm në jetën publike. Kjo nuk do të thotë që kam mendim negativ për znj. Kica Xhelili, por nëse do ta këshilloja, atëherë do i sugjeroja të bëhet me e urtë, me produktive në ide, se sa në polemizim. Në aspektin afatgjatë, besoj që politikat polemizuese, janë të dëmshme qoftë për partinë, apo edhe shoqërinë, sepse i kontribuojnë ndarjes dhe përçarjes së shoqërisë. Por me që shoqëria e do ketë model dhe si e tillë është edhe model i mënyrës së suksesit, atëherë është e kuptueshme një qasje e tillë”, përfundon Duhanaj.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

dallget deri ne 3 5 meter dhe era e forte ne vlore lundrimi pezullohet edhe per 24 ore 67e2a8b83cb00
Story i mëparshëm

Dallgët deri në 3.5 metër dhe era e fortë, në Vlorë lundrimi pezullohet edhe për 24 orë

parlamenti europian ben thirrje per pershpejtimin e planeve per ai dhe cipet 67e2b4e7d405f
Story i radhës

Parlamenti Europian bën thirrje për përshpejtimin e planeve për AI dhe çipet

Të fundit nga

afsqamarhyazeubebnbsbgcacebnyzh-CNzh-TWcohrcsdanleneoettlfifrfyglkadeelguhthahawiwhihmnhuisigidgaitjajwknkkkmkokukylolalvltlbmkmgmsmlmtmimrmnmynenopsfaplptparorusmgdsrstsnsdsiskslsoessuswsvtgtatethtrukuruzvicyxhyiyozu
ShkoLartë