Prokuroria Themelore në Ferizaj ende nuk ka ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni, që dyshohet se u qëllua me armë nga i dyshuari Qëndrim Januzi.
Gjykata Themelore në Ferizaj, më 28 maj 2022 ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasje të rëndë, Qëndrim Januzi, të cilin sipas detyrës zyrtare e mbron avokati Kastriot Zenuni.
Ndërsa, më 30 maj 2022 gjykata e lartcekur ka caktuar paraburgim ndaj të dyshuarit Januzi në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Kurse më 23 qershor Gjykata Themelore e Ferizajt ka vazhduar paraburgimin ndaj të dyshuarit Qëndrim Januzi, në kohëzgjatje prej 2 muajve, i cili do të llogaritet nga data 23 qershor 2022 deri më 21 gusht 2022.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, lidhur me rastin në fjalë, në momentin e ngritjes së aktakuzës, opinion publik do të njoftohet me kohë.
Sipas raportit të policisë, “I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raport.
Gjithashtu, sipas raportit të policisë është bërë e ditur se i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçarit, është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili ishte me rroba civile dhe ka intervenuar në momentin kur ka ndodhur vrasja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj. Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri, pistoleta dhe shtatë gëzhoja”, thuhej në njoftim.