Atalanta duhet të bëjë llogaritë pa José Luis Palominon. Mbrojtësi argjentinas, i cili rezultoi pozitiv me substancën e ndaluar Klostebol në një kontroll antidoping të kryer në fillim të korrikut, tani rrezikon deri në dy vjet skualifikim, i cili mund të bëhet edhe katër nëse konstatohet se e ka marrë më qëllim. Lojtari, i cili aktualisht është pezulluar si masë paraprake, ka tri ditë kohë për të kërkuar kundëranalizën, pas së cilës, nëse konfirmohet prania e substancës së ndaluar, do të gjykohet nga Gjykata Kombëtare Antidoping pas verës.
Klosteboli është një steroid anabolik me prejardhje nga testosteroni i përdorur kryesisht në kremrat shërues.
Kjo është e njëjta substancë që çoi, në vitin 2017, në skualifikimin njëvjeçar të Fabio Lucionit, kapiten në atë kohë i Beneventos.
Masa e skualifikimit do të varet edhe nga përgjegjësia e mundshme e palëve të treta (mjekët mund të kenë përdorur ilaçe që përmbajnë këtë substancë, pa dijeninë e futbollistit).
Siç raporton “La Gazzetta dello Sport”, mbrojtësi i zikaltërve (bergamaskë) nuk është në dijeni të asaj që po ndodh dhe tashmë ka filluar të kontrollojë ilaçet e marra në periudhën e fundit, madje edhe nga familja e tij.
Ai së shpejti do të bëjë një bilanc me avokatët e tij dhe klubin, do të kryejë kundëranalizat dhe më pas do të vlerësojë se si të veprojë. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave ai nuk do të jetë i gatshëm minimalisht për fillimin e sezonit.