Krahasimi që Vladimir Putin u ka bërë dy rajoneve me Kosovën duke thënë dy rajonet e Ukrainës Donetsk dhe Luhansk janë njohur nga Rusia në bazë të precedentit të Kosovës, kanë shkaktuar neveri në Serbi. Sot tabloidet serbe por edhe mediat më “serioze” që i ka në dorë Vuçiq, kanë shpërthyer me ballina antiputin duke thënë se ai në këtë mënyrë po e njeh Kosovën.
Një ditë pas deklaratës së Putinit për Kosovën si një precedent për njohjen nga Rusia të rajoneve të Ukrainës, të ashtuquajturat Republika Popullore e Donetskut (DNR) dhe Republika Popullore e Luhanskut (LNR), mediat serbe reaguan në mënyrë agresive ndaj fjalëve të tij.
Siç mëson media serbe “Blic”, Vuçiq do të ketë një fjalim të premten ose të shtunën, ku do të merret me deklaratën e presidentit rus për njohjen e rajoneve të Ukrainës. Vuçiq pritet të flas edhe furnizimin me gaz rus për Serbinë, veçanërisht në kuadër të ndërprerjeve të furnizimit nga Bullgaria fqinje.
Nga ana tjetër, faqet e para të gazetës serbe të së enjtes, veçanërisht ato të kontrolluara nga regjimi i Vuçiqit, tregojnë hapur tronditjen, nga ato që tha Putin.
Më tej, Blic sjell një ballinë në të cilën vihet në pikëpyetje besnikëria e serbëve ndaj Putinit: “A i jemi betuar ne si komb shumë presidentit rus: Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës”.
Tabloidi “Srpski Telegraf” është shumë më i ashpër – në ballinën e së enjtes ata shkruajnë: “Kështu janë vëllezërit rusë? Putini e goditi Serbinë pas shpine: Ai e shkëmbeu Kosovën me Donbas”.
Edhe “Kurir” ka goditur Putinin në ballinë: “Interesi lakuriq: Putini mbron interesat në Donetsk dhe Lugansk me interesin e tij, pa marrë parasysh pozicionin e Serbisë në Kosovë”. Në vazhdim të titullit është interesant të theksohet mesazhi “shteti ynë duhet të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat e veta”.
Tabloidi “Alo”, përdori deklaratën e Putinit në faqen e tij të parë në një “kontekst rajonal”. Kështu thotë “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”.
Linja “rajonale” përfshin edhe “Vecernje Novosti”, e redaktuar nga propagandisti famëkeq i Millosheviçit, Milorad Vucelic, i cili ka mbështetur fuqishëm dhe hapur Moskën që nga fillimi i pushtimit rus, ndryshe nga disa gazeta të tjera nën kontrollin e Vuçiqit. Novosti nxjerr në pah mbulimin e mediave kroate dhe boshnjake, kështu që së bashku me ‘screenshot-et’ e titujve nga portalet Jutarnji list dhe Dnevnik.ba, ata shkruajnë: “Sulmet nga Kroacia dhe BeH për shkak të deklaratës së kreut të Federatës Ruse: .
Tabloidi “Objektiv” raporton “Thikë pas shpine: Putin e njeh Kosovën”./express