Jesé Rodríguez kaloi përmes mikrofonave të “El Larguero” dhe ndër të tjera foli për ardhjen e mundshme të Kylian Mbappe te Real Madridi.
Ai e njeh shumë mirë si klubin e bardhë, sepse është rritur në akademinë e Real Madridit, ashtu edhe sulmuesin francez të PSG-së, me të cilin përkoi në kohën e tij te skuadra pariziene.
Në një bisedë të këndshme me Manu Carreño, Jesé siguroi se duke e njohur Florentino Perez është e vështirë për Mbappe që të përfundojë më te Real Madridi.
Lojtari aktual i Sampdorias shton se presidentit Perez nuk i ka pëlqyer fare ajo që bëri Mbappe verën e kaluar, kur vendosi të rinovonte me PSG-në dhe të linte “me gisht në gojë” Real Madridin, që kishte ofruar gjithçka për të.
“Mbappé në Madrid? Nuk e di. Duke e njohur Florentino Perez, ndoshta ai nuk përfundon më te Real Madridi. Perezit nuk i pëlqeu ajo që bëri Kylian verën e kaluar.
Nëse unë do ta shikoja Mbappe si president ose pronar i një klubi, do të varej nga lojtarët që kisha dhe merkatoja.
Nëse e shikoj talentin, pa hezitim, do ta merrja Mbappe me sy mbyllur”.
Jese foli edhe për garën e titullit në La Liga:
“Real Madridi nuk duhet marrë kurrë për të vdekur, por nuk do t’ju gënjej se situata është e ndërlikuar.
Barça është e fortë.
Kur je më i ri ka gjëra që nuk i mendon, nuk i vlerëson. Kur më erdhi kjo ofertë nga Italia u emocionova shumë.
Nëse do të kthehesha 10 vite mbrapa, me siguri kam gabuar në diçka. Por bëhet fjalë për të mësuar prej saj”.