Gjykata Themelore në Prizren e ka çuar në paraburgim prej një muaji të dyshuarin A.V. nga Prizreni, për shkak se i njëjti dyshohet se e ka therur disa herë me thikë viktimën në kokë, qafë e shpatull. Arsyeja është një mosmarrëveshje për një pronë.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës Teuta Krusha, e cila veprën penale e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Gjykata njofton se rasti në fjalë ka ndodhur më 14 nëntor, teksa jep sqarime se si ka ardhur deri te sulmi.
“Më datë 14 nëntor, në orët e mbrëmjes, në Prizren, me dashje tenton të privon nga jeta të dëmtuarin, B.V., në atë mënyrë që, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth pronës, në momentin që i dëmtuari parkon automjetin para dyerve të shtëpisë, i pandehuri me mjet të mprehtë – thikë, e godet disa herë të dëmtuarin në kokë, qafë, dhe shpatullën e majtë të krahut të pjesë së pasme, duke ia rrezikuar jetën të përshkruara si në Raportin Mjekësore të Qendrës Emergjente të Spitalit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se me lënien në liri, i pandehuri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që pas ngjarjes kritike i pandehuri është fshehur dhe prezenca e tij është siguruar nga ana e Policisë pas 24 orëve në kërkim.
Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se faza hetimore është në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të dëgjohet i dëmtuari, dëshmitarët të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, dhe të mblidhen edhe prova tjera për të zbardhur ngjarjen e ndodhur.
“Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, apo me qëllim të parandalimit të kryerjes së ndonjë vepre edhe më të rëndë penale”.
Kjo masë do të llogaritet prej kohës së arrestimit 15.11.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 15.12.2022.