Një 60-vjeçar u dënua me 10 vjet heqje lirie në Milano të Italisë, pasi goditi me thikë në shpinë një grua 43-vjeçare, të cilën e kishte zgjedhur rastësisht si objektiv të sulmit më 3 nëntor 2025, në sheshin Gae Aulenti – Milano.
Vincenzo Lanni, e sulmoi nga pas drejtuesen e kompanisë Finlombarda, duke e plagosur rëndë me një thikë me teh 23 centimetra të gjatë.
Sipas hetimeve, autori nuk e njihte viktimën dhe e kishte përzgjedhur atë rastësisht. Edhe pamjet filmike të ngjarjes ndihmuan në rindërtimin e dinamikës së sulmit.
Lanni u shpall fajtor për tentativë vrasjeje me rrethanën rënduese të paramendimit. Prokurorja Maria Cristina Ria kishte kërkuar dënimin e tij me 12 vite e 2 muaj burg.
Sipas mediave italiane, Lanni kishte vuajtur më parë një dënim prej 8 vitesh burg për dy tentativa vrasjeje të kryera në vitin 2015, kur kishte goditur me thikë dy pensionistë në provincën e Bergamos. Pas vuajtjes së dënimit, ai ishte liruar pasi ishte vlerësuar se nuk përbënte më rrezikshmëri shoqërore.
Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi që pas përfundimit të dënimit Lanni t’i nënshtrohet masës së sigurisë së mbikëqyrjes për tre vite. Ai u detyrua gjithashtu t’i paguajë viktimës 50 mijë euro si dëmshpërblim paraprak.
Pas arrestimit, 60-vjeçari kishte deklaruar se synimi i tij ishte të godiste pushtetin ekonomik dhe jo të vriste dikë.
Burimi: botasot.info


