Legjenda e futbollit brazilian, Pele ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.
I konsideruar nga anë e mbanë bota si njëri nga lojtarët më të mëdhenj në histori të futbollit, Pele është i vetmi futbollist që e ka fituar Kupën e Botës në tri raste.
“Associated Press” e ka konfirmuar lajmin, duke thënë: “Legjenda e futbollit brazilian, Pele, fituesi rekord i tre Kupave të Botës dhe mbajtësi i standardit për ‘lojën e bukur’, ka vdekur në moshën 82-vjeçare”.
Pele e ndihmoi Brazilin drejt triumfit të Kupës së Botës në vitin 1958, 1962 dhe në vitin 1970, ku në këtë të fundit e fitoi edhe Topin e Artë për lojtarin më të mirë të turneut.
Gjatë një karriere 21-vjeçare si lojtar, ai thuhet se ka shënuar 1,283 gola në 1,363 ndeshje për klube dhe kombëtare, megjithëse ky numër është i diskutueshëm duke pasur parasysh se përfshinte miqësore jozyrtare dhe ndeshje turne.
Pele luftoi me shëndetin e keq kohët e fundit, ku atij iu hoq një tumor nga zorra e trashë në shtator të vitit 2021 dhe që atëherë kishte hyrë dhe dalë nga spitali për trajtim në baza të rregullta, ndërsa vazhdoi të luftonte kancerin.