E fajësoi Kurtin për përçarje, Bytyçi vjen me reagim ndaj ish-ministrit – ia kujton këtë moment me Ramën nga e kaluara

Profesori Enver Bytyçi ka reguar ndaj Enver Hoxhajt dhe deklaratave të tij lidhur me projektin e “Ballkanit të Hapur” dhe raportet Kosovë-Serbi.

Bytyçi tha se Hoxhaj u tregua jo korrekt kur e fajësoi Kurtin për përçarje të faktorit shqiptar, dhe anashkaloi tërësisht Ramën.

Ai në shkrimin e tij në Facebook ia kujtoi ish-ministrit disa momente, derisa kishte edhe një mesazh për të.

“Të lutem miku im! Mos ban hajgare për hatër të Edi Ramës. Sepse unë e di së paku që ju i ndryshuat mendimet tuaja ndaj Ramës ditën që u takuat bashkë dhe promovuat së bashku edhe librin tuaj në Tiranë!”, shkroi ndër të tjera profesori, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

E ndoqa intervistën e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, mikut tim Enver Hoxhaj, në studion e emisionit “Kjo javë” ne Neës 24! Në këtë intervistë Dr. Hoxhaj pati vlerësime objektive, sidomos për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe rolit të Borrell e Lajçak në këtë dialog. Për rolin destruktiv të Serbisë në Kosovë e në rajon, etj.

Por ai ishte jo i saktë, jo korrekt, i njëanshëm, jo objektiv, kur foli për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë dhe nismën Open Balkan. Ish-ministri fajësoi kryeministrin Kurti për atë që ai e quajti “Përçarje të faktorit shqiptar”, duke anashkaluar autorin kryesor të kësaj përçarjeje, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Më duhet t’i kujtoj zotit Hoxhaj disa momente:

_ Ju ishit i pari politikan shqiptar në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme që në vitin 2017 denoncuat Edi Ramën për paternalizëm ndaj Kosovës. Paternalizëm do të thotë mbivendosje, marrje përsipër e atributeve të Kosovës nga ana e Edi Ramës. A nuk është përçarje veprimi paternalist?! Atëherë pse e transferoni problemin te Kurti?

– Ju e dini se ishte Edi Rama ai që anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverive të fund-qershorit 2023 në Gjakovë, si masë ndëshkimi ndaj Kosovës. Megjithatë ju akuzoni viktimën, pra kryeministrin Kurti, për përçarje! Nuk po numëroj ngatërresat e Ramës midis Thaçit e Isa Mustafës, midis LDK-së dhe Rexhep Qosjes, midis Haradinajt dhe presidentit të Kosovës, midis Visar Ymerit e Dardan Molliqajt me Albin Kurtin etj, etj, të cilat zoti Hoxhaj i njeh më nirë sesa unë. Edhe për këto ishte Albin Kurti përçarës?!

– Ju akuzoni zotkin Kurti për përçarje të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Por nuk e konsideroni përçarje e ndërhyrje në zgjedhjet në këtë vend dekorimin e Ali Ahmetit me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” vetëm një javë para votimeve në Maqedoninë e Veriut! Standard i dyfishtë gjykimi dhe vlerësimi është ky miku im, Dr. Enver Hoxhaj!

– Autori kryesor i përçarjes është Edi Rama dhe arsyeja e kësaj përçarjeje, ti e di i nderuar, është iniciativa e tij për ndarjen e Kosovës, si dhe Minishengeni dhe Open Balkan. Ju pranoni se ishit kundër Minishengenit serb. Por thoni se Open Balkan i shërben shqiptarëve. Çfarë ndryshoi Open Balkan nga iniciativa serbe e Minisshengenit? Asgjë! Si mund të ishte Kosova pjesë e Open Balkan, kur Serbia e konsideron pjesë të sovranitetit të saj?! Si mund të hapen kufijtë, kur ky kufi quhet prej iniciatorit të Open Balkan “vijë administrative”!

Të lutem miku im! Mos ban hajgare për hatër të Edi Ramës. Sepse unë e di së paku që ju i ndryshuat mendimet tuaja ndaj Ramës ditën që u takuat bashkë dhe promovuat së bashku edhe librin tuaj në Tiranë!

Story i mëparshëm

​Mbi 1 miliard dollarë humbjet nga sulmet ruse në infrastrukturën energjetike ukrainase

Story i radhës

Me lëndime të rënda në kokë dhe trup, turistja gjermane transportohet drejt Traumës pasi ra bie në ujëvarë

Të fundit nga

Shtanget Juventus

Manchester United ka hyrë në bisedime me mesfushorin e Juventusit, Adrien Rabiot. Kontrata e lojtarit francez