Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë votuar të martën për presidentin e tyre të 47-të.
Donald Trump, kandidat i republikanëve dhe ish-president, ka fituar zgjedhjet duke u rizgjedhur president i Amerikës.
Ai ka garuar kundër demokrates, Kamala Harris, aktualisht nën-presidente amerikane.
Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.
Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t’u shpallur fitues.
Vetë Trump, u është drejtuar mbështetësve nga Florida më herët gjatë ditës, dhe është zotuar se do të punojë për ta “shëruar” SHBA-në.
Fitorja e tij është konfirmuar pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.
Liderë nga Ballkani Perëndimor kanë uruar presidentin e ri, duke shtuar kërkesën për bashkëpunim mes vendeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Trumpin në emër të popullit të Kosovës.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trump dhe JD Vance për zgjedhjen e tyre si president dhe zëvendës president i Shteteve të Bashkuara”, ka pohuar presidentja.
Ajo ka shtuar tutje se SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës.
“Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë”.
Një urim ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka theksuar ndër të tjerash se mezi pret të punojë me të për përparim dhe paqe.
“Urime President Donald Trump për fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, ka shkruar Kryeministrit Kurti në platformën X.
Se çfarë do t’i sjellë Kosovës rizgjedhja e republikanit Donald Trump, “Bota sot”, ka pyetur njohës e analist.
Lepaja: Në Ballkan priten turbulenca
Publicisti dhe autori i shumë shkrimeve për rajonin, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se fitorja e Trumpit do të sillte një thyerje të rendit të ri.
Sipas tij, “rendi” do të mblidhej rreth Kinës, Rusisë dhe Evropës.
“Fitorja e Trump, do të sillte një thyerje të “rendit të ri” alternativ që po mblidhej rreth Kinës, dhe do ta rikthente Rusinë sërish nga Evropa. Rusia e mbështetur për muri, ka ra në “përqafim ” të Kinës dhe fuqive të tjera anti perëndimore si Irani dhe Koreja e Veriut, e cila së fundmi ka dërguar edhe trupa për të luftuar në anën ruse. Përderisa Demokratët dhe BE po synojnë që ta thyejnë Rusinë dhe ta izolojnë nga ndikimi në kontinent duke i prerë daljet në Det të Zi dhe korridoret e gazit nëpër Ballkan, Trump mendon se Ukraina nuk është aq e rëndësishme për të përjashtuar Rusinë nga Evropa dhe për tu armiqësuar me të gjithë tjerët. Kompromisi me Rusinë dhe rikthimi i saj në Evropë do të jetë pjesë e doktrinës së Trump”, shprehet Lepaja.
Sipas tij, Liqeni i Ujmanit sërish do të aktualizohet me emrin Trump dhe skena politike nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor do të përjetojë turbulenca.
“Në Ballkan, pritet të lëvizë parimi i “mos ndryshimit të kufijve” dhe ideja e shteteve multietnike nuk do të jetë më ide orientuese në rregullimin e Ballkanit Perëndimor. Sido që të jetë, Liqeni i Ujmanit sërish do të aktualizohet me emrin e Trump dhe skena politike nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor do të përjetojë turbulenca. Sidoqoftë, njohja e Kosovës dhe pavarësia e saj janë pjesë e pandryshueshme e politikës amerikane, por me pajtimin e palëve edhe plani i këmbimeve territoriale mund të riaktualizohet”, shton Lepaja.
Me fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump arriti t’i tejkalojë ndasitë brenda Partisë Republikane, sfidat ligjore nga mandati i parë në vitet 2017-2021, dhe një atentat ndaj tij.
Gjatë kësaj periudhe ai u përball, gjithashtu, me ndryshimet në Partinë Demokratike, kur presidenti në largim, Joe Biden, u zëvendësua nga nënpresidentja Kamala Harris si kandidate.
Në moshën 78 vjeç, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Bidenit, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.
Kur të bëjë betimin më 20 janar, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe i 47-ti president i Shteteve të Bashkuara.
Ai është, po ashtu, presidenti i parë që është përballur me dy procese gjyqësore për shkarkim dhe gjithashtu i pari që është dënuar për një krim.
Para nisjes së mandatit të dytë, ai vazhdon të përballet me dy çështje penale të papërfunduara – njëra që lidhet me përpjekjet e supozuara për të penguar marrjen paqësore të pushtetit nga Bideni dhe tjetra për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias. Kurse, një çështje tjetër penale, lidhur me ruajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, u hodh poshtë në korrik.
Xani: Sovraniteti i Kosovës, prioritet edhe i administratës së re, Trump
Ndërsa, analisti Visar Xani, thotë se dallimet në mes republikanëve dhe demokratëve mund të jenë në metoda, por qëllimi mbetet i njëjtë.
Sipas tij, Trump do ta dëshmojë se Kosovën e ka prioritet.
“Fillimisht duhet të kemi parasysh që po bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilido president apo çfarëdo që kandidat që vije në krye të administratës, raportet kanë qenë pothuajse nën mbështetjen në plotëni. Dallimet në mes republikanëve dhe demokratëve mund të jenë vetëm në metoda, por qëllimi është i njëjtë. Besoj që administrata Trump, siç ka bërë edhe më herët, por edhe tani do ta dëshmojë se Kosovën e ka prioritet dhe sovraniteti i saj dhe shtet ndërtimi i saj duhet të vazhdohet në bashkëpunim të plotë”, shprehet Xani.
Ai ka kërkuar koordinim me SHBA-në, gjersa shton se qytetarët e Kosovës nuk duhet të brengosen kush fiton.
“Ne si Kosovë nuk duhet të brengosemi shumë se kush është president i SHBA-së, por duhet në përgjithësi të jemi bashkëpunues, të jemi syçelë dhe aleancat me SHBA-në mos të jenë në plan të dytë, por përkundrazi të jenë primare dhe të jemi 24 orë të koordinuar për të punuar në shtet-ndërtimin dhe për të forcuar aleancën dhe strategjinë tonë që është integrimi në BE dhe bashkë me Amerikën mund të shkojmë deri në NATO. Prandaj, ne si kosovarë nuk duhet të brengosemi aq nëse fitojnë republikanët, apo demokratë dhe për këtë ne si Kosovë nuk kemi drejt vote, por kemi drejt t’i marrim mesazhet që vijnë nga SHBA-ja dhe t’i plotësojmë dhe ato të na ndihmojmë dhe të mos provojmë të shkëputemi, koordinimi dhe bashkëpunimi është çelësi për Kosovën”, përfundon Xani.
Trump, kryesoi sondazhet e votuesve mbi atë se cili kandidat ishte më i besueshëm për të trajtuar çështje delikate si imigracioni dhe kostot e larta të strehimit dhe ushqimit.
Ai u pa si kandidati më i përshtatshëm për të rindërtuar Amerikën, të cilësuar vazhdimisht prej tij si të mbingarkuar nga emigrantë të paligjshëm.
Burimi: botasot.info