Tre persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur pasi ranë nga një ndërtesë e lartë në jug të Londrës, ka njoftuar policia e metropolit.
Shërbimet emergjente u thirrën në Churchyard Row në Elephant and Castle në orën 07:29 të mëngjesit të së mërkurës, pas raportimeve se disa persona kishin rënë nga lartësia.
Policia Metropolitane tha se oficerët kanë dalë në vendngjarje së bashku me Shërbimin e Ambulancës së Londrës, Ambulancën Ajrore të Londrës dhe Shërbimin e Zjarrfikësve të Londrës.
Një burrë, një grua dhe një fëmijë u gjetën në vendngjarje. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve emergjente për t’i reanimuar, të tre u shpallën të vdekur.
Sipas transmetuesit britanik BBC, policia tha se vdekjet po trajtohen si të papritura dhe se nuk janë raportuar persona të tjerë të lënduar, transmeton KosovaPress.
Po zhvillohen procedurat për identifikimin zyrtar të viktimave.
Familjarët e tyre janë njoftuar dhe po mbështeten nga oficerë të specializuar.
Burimi: botasot.info


