Son Heung-min konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj aziatikë që kanë luajtur në Angli. Pas një dekade te Tottenham Hotspur, ai u largua nga Anglia këtë verë.
Megjithatë, përpara se të linte Londrën e Veriut, ai ishte bërë legjendë për Spurs, duke i ndihmuar ata të fitonin Europaligën vitin e kaluar. Por pas dyerve të mbyllura, ai po kalonte momente të vështira.
Një gjykatë në Korenë e Jugut dënoi një grua në të 20-at me katër vite burg për shantazh ndaj Son Heung-min.
Ajo pretendonte në mënyrë të rreme se ishte shtatzënë me fëmijën e futbollistit.
Bashkëpunëtori i saj, një burrë në të 40-at, mori një dënim prej dy vitesh për përpjekje për shantazh, pasi e kërcënoi kapitenin e mëparshëm të Tottenham 15 herë për të marrë para.
Sipas dëshmive të gjykatës, gruaja i kishte kërkuar Sonit vitin e kaluar që të paguante, duke pretenduar se po mban fëmijën e tij, edhe pse nuk kishte prova.
Prokurorët thanë se ajo i nxori 300 milion won (£153,000) futbollistit dhe kërcënoi se do ta bënte publike nëse ai nuk paguante.
“AFP” raportoi se paratë i shpenzoi për produkte luksoze dhe markash të njohura.
Prokurorët shtuan se: “[Gruaja] pretendon se ka marrë paratë si kompensim dhe paraqitet si viktimë. Por pretendimet e saj nuk përputhen plotësisht me faktet,” duke shtuar se kishte “planifikuar krimin në mënyrë të hollësishme”.
Gjykatësi kritikoi të dy të akuzuarit për shfrytëzimin e statusit të njohur të Sonit dhe theksoi se futbollisti kishte përjetuar “vuajtje të theksuar mendore” ndërsa çështja bëhej publike.
Pas kërkesave të tyre për më shumë para më herët gjatë vitit, Son e raportoi rastin tek policia, duke çuar në arrestimin e tyre.
Son, i cili tani luan për Los Angeles FC pas largimit nga Tottenham në gusht, mbetet një nga futbollistët më të njohur aziatikë. Rëndësia e tij publike e bëri edhe më goditëse këtë krim, duke theksuar se shantazhi ishte drejtuar qëllimisht ndaj profilit të tij të njohur.
Burimi: botasot.info


