Azhakso e Qazim Laccit, u mposht nga Lioni me rezultatin 2-1, në sfidën e vlefshme për javën e parë të Ligës 1 franceze. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 89-të të këtij dueli, duke bërë edhe debutimin në elitën e futbollit francez.
Gjithsesi, për 26-vjeçarin shqiptar nuk kishte kohë në dispozicion për të lënë gjurmë dhe në fund, Lion ia doli të administronte më së miri ndeshjen dhe duke marrë tre pikët e para të kampionatit.
Tete dhe Lakazet ishin autorët e golave për vendasit, teksa për Azhakso, shënoi Mangani në minutën e 31-të me penallti. Të 3 golat u shënuan në pjesën e parë.
Vlen të theksohet fakti se në këtë duel u nxorën edhe 2 kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër në minutat 27 dhe 45+3’. Sfidën e radhës skuadra e Qazim Laçit do ta luajë në shtëpi ndaj Lensit.