Si pasojë e rrëshqitjes së dheut, dy autobusë që transportonin të paktën 60 pasagjerë u futën në një lumë në Nepalin qendror, të premten herët.
Tre të mbijetuar me sa duket notuan për të shpëtuar, por shpëtimtarët deri vonë në mëngjes nuk kishin gjetur asnjë gjurmë të autobusëve, të cilët me gjasë ishin zhytur në ujë dhe u përfshinë në rrjedhën e poshtme në lumin Trishuli.
Lumenjtë e Nepalit në përgjithësi rrjedhin shpejt për shkak të terrenit malor.
Reshjet e dendura të musonit në ditët e fundit kanë fryrë rrugët ujore dhe i kanë kthyer ujërat e tyre në ngjyrë kafe të errët, duke e bërë edhe më të vështirë shikimin e rrënojave.
Kryeministri i Nepalit Pushpa Kamal Dahal, tha se ishte i pikëlluar nga lajmi dhe shprehu shqetësim për përmbytjet e fundit dhe rrëshqitjet e dheut. Ai shtoi se disa agjenci qeveritare po kërkonin të zhdukurit, në një postim në platformën e mediave sociale X.
Të enjten mbrëma, pati një rrëshqitje dheu mbi një kasolle, e cila si pasojë vrau një familje prej shtatë anëtarësh pranë qytetit turistik të Pokhara.
Familja ishte në gjumë kur rrëshqitja e dheut shtypi kasollen e tyre dhe dëmtoi tre shtëpi të tjera aty pranë, raporton AP.
Sezoni i musonit sjell shira të dendur në Nepal nga qershori deri në shtator, duke shkaktuar shpesh rrëshqitje të dheut në vendin malor të Himalajeve.
Burimi: botasot.info